Presidenti i Madagaskarit është larguar nga vendi, njoftuan dje udhëheqësi i opozitës dhe zyrtarë të tjerë, duke shënuar herën e dytë që protestuesit e rinj kanë rrëzuar qeverinë në javët e protestave dhe trazirave të Gjeneratës Z. Siteny Randrianasoloniaiko, udhëheqësi i opozitës në parlament, i tha Reuters se Andry Nirino Rajoelina u largua nga Madagaskari të dielën pasi njësitë e ushtrisë dezertuan dhe iu bashkuan protestuesve. Presidenca e Madagaskarit raportoi të dielën se një “përpjekje për marrje të paligjshme dhe të dhunshme të pushtetit” ishte duke u zhvilluar në vendin afrikan, pa dhënë detaje, një ditë pasi disa ushtarë iu bashkuan një lëvizjeje proteste që filloi muajin e kaluar.
Protestat, të frymëzuara nga lëvizjet e Gjeneratës Z në Kenia dhe Nepal, filluan për shkak të mungesës së ujit dhe energjisë elektrike, por që atëherë janë përshkallëzuar, me protestuesit që i bëjnë thirrje presidentit të japë dorëheqjen, të kërkojë falje për dhunën kundër protestuesve dhe të shpërndajë Senatin dhe komisionin zgjedhor. Një skenar i ngjashëm me atë në Madagaskar u zhvillua në Nepal në shtator, ku dhjetëra mijëra protestues, kryesisht të rinj, dolën në rrugë, të zemëruar për korrupsionin dhe varfërinë e përhapur. Protestat shpejt u shndërruan në të dhunshme, ndërtesa e parlamentit u dogj dhe policia hapi zjarr, duke çuar në dorëheqjen e kryeministrit Sharma Oli, i cili iku nga rezidenca e tij zyrtare. Dhjetëra njerëz vdiqën në trazira. Pas arratisjes dhe dorëheqjes së tij, kryeministri i ri i Nepalit u bë Sushila Karki, i cili premtoi t’u përgjigjej kërkesave të protestuesve që bënin thirrje për “fundin e korrupsionit”.
