Një bandë kriminale është goditur nga autoritetet italiane në Milano, ku në pranga përfunduan 25 persona. Akuzat ndaj të arrestuarve janë për krime mafioze, trafik droge, grabitje e pastrim parash.
Mediat italiane shkruajnë se mes të arrestuarve është edhe një murgeshë, pjesë e “Institutit të Motrave Bamirëse”, në Milano.
57-vjeçarja, Anna Donelli është e njohur nga të burgosurit si “Motra Collina” sepse ka shërbyer vullnetarisht në disa burgje të Brescia-s.
Por, sipas policisë, ajo ka dhënë shumë më tepër se thjesht “bekime” për ata në qeli.
Donelli akuzohet si “ndërmjetëse” mes kriminelëve të lirë dhe atyre në qeli, duke dalë krejtësisht nga roli i saj spiritual. Ajo çonte mesazhe dhe urdhra në burg dhe anasjelltas, për bosat e krimit që janë pjesë e Ndranghetës. Kjo e fundit, është një organizatë kriminale me bazë në Kalabri, në jug të vendit.
