Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar mazhorancën për mungesën e vullnetit në luftën kundër korrupsionit dhe për miratimin e ligjeve që dëmtojnë transparencën.
Në fjalën e saj, në një konferencë të organizuar nga USAID dhe CSDG mbi bilbilfryrësit dhe denoncimin e korrupsionit, Tabaku evidentoi se veprimet e mazhorancës jo vetëm që minojnë demokracinë parlamentare, por gjithashtu penalizojnë ata që denoncojnë korrupsionin
Ajo theksoi se ligji për konfliktin e interesit, një nismë kyçe për rritjen e llogaridhënies, është bllokuar prej kohësh në Komisionin e Ligjeve dhe nuk është përfshirë në kalendarin parlamentar për debat. “Kuvendi është kthyer në burim ligjesh me porosi, ndërsa nismat për transparencë qëndrojnë të bllokuara,” deklaroi ajo.
Tabaku përmendi gjithashtu raste konkrete që tregojnë se ligji për bilbilfryrësit, ndonëse korrekt në teori, dështon në praktikë. Ajo theksoi se sistemi është ndërtuar për të penalizuar dhe dekurajuar ata që denoncojnë korrupsionin, duke krijuar një mjedis ku denoncuesit bëhen viktima të sistemit në vend që të mbrohen.
