Plane apo përralla për destabilizim në RMV?/ Analiza e REL: Politika ndez fitilin, kush po i hedh benzinë zjarrit

Data

Përpjekjet që të destabilizohen marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut ndodhin gjithmonë kur kjo i nevojitet një partie, thonë analistët politikë për Radion Evropa e Lirë, pas një serie incidentesh që ndodhën ditëve të fundit. Më 28 nëntor, në festimin e Ditës së Flamurit Shqiptar, në vende të ndryshme në Maqedoninë e Veriut u përdhos flamuri shqiptar dhe ai maqedonas. Lidhur me këtë policia arrestoi 17 persona.

“Jemi një shoqëri ku qartë luhet me ndjenjat e përkatësisë etnike. Edhe pse duket se beteja është se kush është shqiptari më i madh mes shqiptarëve, ashiqare, ngjarjet kanë pasoja në shoqërinë më të gjerë. Kur kryhen akte të dhunshme, është thelbësore që institucionet të bëjnë punën e tyre, pra të veprojnë shpejt, paanshëm dhe në mënyrë jo selektive”, thotë për Radio Evropa e Lirë analisti politik Aleksandar Krzhalovski

Rasti i djegies së veturave dhe një objekti biznesi në Kumanovë mëngjesin e 2 dhjetorit, nga të cilat njëra është e prokurorit publik Xhelal Bajrami, ish-ministër i Punës dhe Politikës Sociale nga BDI-ja, tani në opozitë, dhe tjetra është e një këshilltari në Komunën e Kumanovës nga kjo parti, ndërlidhet me incidentet e përdhosjes së flamujve në Ditën e Flamurit.

Kush hedh benzinë në zjarr?

Partia opozitare nga blloku politik shqiptar, BDI, nuk mund të përjashtohet nga ngjarjet që mund t`i nxisin tensione ndëretnike, komentojnë analistët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë. Për disa, fajin për këtë e ka pushteti, pasi bëri koalicion me grupimin VLEN nga blloku politik shqiptar. Por, analistë të tjerë fajin e hedhin mbi BDI-në sepse nuk mund të pajtohet me humbjen pas 20 vjetësh në pushtet.

Pas zgjedhjeve, VMRO-DPMNE si partner në pushtet ftoi koalicionin VLEN, ndërsa BDI-ja konsideronte se ajo ishte përfaqësuese legjitime e shqiptarëve. Kryeministri Mickoski tha se koalicioni VLEN me rezultatin prej 107.000 votash në zgjedhjet parlamentare, është partner i besueshëm në qeverinë e ardhshme dhe e dërgoi BDI-në në opozitë. Marrëdhëniet ndëretnike përdoren kur autoritetet nuk mund t’i realizojnë politikat dhe rezultatet që kanë premtuar, thotë për Radion Evropa e Lirë Sefer Selimi, drejtor ekzekutiv i Democracy Lab.

“Qeveria aktuale po humb perspektivat për integrimin evropian dhe nuk arrin të realizojë ndryshimet kushtetuese. Prandaj është e interesuar ta mashtrojë publikun edhe me rrezikun e përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike, si tema më e ndjeshme politike. Është përkeqësuar klima e përgjithshme dhe kjo, jo në relacionin maqedonas-shqiptarë, por në marrëdhëniet shteti-shqiptarët, sepse shqiptarët në institucione përballen me përjashtime nga puna”, deklaroi Selimi.

Ndërkohë, analisti politik dhe ish-ministri i Financave, aktualisht anëtar i Këshillit të Sigurisë i Presidencës maqedonase, Xhevdet Hajredini, përmes rrjetit social Facebook, dënoi përdhosjen e flamujve shtetëror gjatë festimit me rastin e 112- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Nuk është shenjë trimërie të shkelësh me veturë flamurin e shtetit në të cilin jeton”, shkroi Hajredini.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related