Aktorja e njohur turke Hande Erçel ka reaguar pas përfshirjes së saj në një hetim për drogë në Stamboll, duke mohuar kategorikisht çdo akuzë.
Në dëshminë e saj para prokurorëve, ajo deklaroi se nuk ka përdorur kurrë substanca narkotike apo stimuluese dhe se ndjek një stil jetese të shëndetshëm për shkak të profesionit.
“Jam shumë e kujdesshme për jetën time dhe për imazhin publik. Nuk kam përdorur kurrë drogë në asnjë moment,” u shpreh aktorja.
Erçel sqaroi gjithashtu se nuk ka qenë pjesë e jetës së natës apo eventeve private që janë përmendur në media në lidhje me hetimin. Ajo theksoi se nuk ka njohje me persona të përfshirë në organizimin e festave të dyshuara dhe nuk ka marrë pjesë në to.
Sa i përket ish-partnerit të saj, Hakan Sabancı, aktorja tha se nuk e ka parë kurrë duke përdorur drogë.
“Jam e trishtuar që emri im përmendet në këtë rast në këtë mënyrë dhe nuk e pranoj akuzën kundër meje,” shtoi ajo.
Pas kthimit në Turqi, Erçel dha dëshminë dhe iu nënshtrua një testi droge në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa më pas u la e lirë.
Aktorja, e cila ka mbi një dekadë në ekran, theksoi se përpiqet të jetë një model pozitiv për publikun dhe të përfaqësojë vendin e saj me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
