Kosova, në muajin tetor, hoqi masën e ndalimit të importeve për mallrat nga Serbia në një pikë kufitare. Me heqjen e kësaj mase ka filluar të rritet edhe prania e mallrave serbe në Kosovë. Të dhënat zyrtare tregojnë se Serbia po shënon rritje graduale në treg, kurse Shqipëria ka shënuar një rënie në eksportet drejt Kosovës.
Kosova vazhdon të jetë treg interesant për Shqipërinë dhe Serbinë. Të dyja këto shtete duket se kohë pas kohe bëjnë “gara” se cili po dërgon mallra më shumë.
Deri para një muaji, Serbia dukej se po e humbte tregun e Kosovës, por mallrat e këtij shteti kanë filluar të kthehen sërish, pasi në muajin tetor, Kosova hoqi masën e ndalimit të importeve për mallrat nga Serbia.
Situata, për të keq, ka nisur të ndryshojë me Shqipërinë, pasi është shënuar rënie në eksportet drejt Kosovës.
Statistikat e fundit të Doganës së Kosovës, lidhur me importin me vendet e CEFTA-s, tregojnë për një kthim gradual, por jo shumë të fuqishëm të Serbisë në tregun e Kosovës. Ndërkohë, bazuar në statistikat e doganës ka një rënie të madhe të importit të mallrave nga Shqipëria në dy-tre muajt e fundit.
