SPAK trondit Plarent Ndrecën, çon për gjykim dosjen e deputetit të PS dhe 15 ish- zyrtarë të Ministrisë së Brendshme…

Data

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim dosjen e deputetit të Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili u mor i pandehur më 25 tetor për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ai akuzohet për rastin e rikonstruksionit të katër komisariateve në qytete të ndryshme të vendit, në kohën kur ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. SPAK bën me dije se bashkë me Ndrecën janë marrë të pandehur edhe 15 ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera, të akuzuar për shkelje të rënda gjatë procedurave të prokurimit publik në vitin 2019.

Kallëzimi për këtë çështje është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku ky institucion ka konstatuar se procesi kishte patur shkelje të procedurave, dyshohet se fituesi ka qenë i paracaktuar, si dhe ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Bëhet fjalë për rikonstruksionet e komisariateve të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë. Hetimi për këtë çështje avancoi pas provave materiale të marra në celularin e sekuestruar biznesmenit Gjon Radovani, i cili ka mbajtur postin si ish-zëvendës ministër pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban në Shqipëri. Është pikërisht kompania e tij, “A.P.E”, ajo që fiton tenderat për rikonstruksionin e godinave të Komisariateve. Sipas SPAK, nga veprimet e paligjshme të kryera, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar, i vlerësuar sipas kontratës në vlerën prej 34,248,000 lekë.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 25.11.2024 ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.240 të vitit 2021 në ngarkim të 16 ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera, të akuzuar për shkelje të rënda gjatë procedurave të prokurimit publik në vitin 2019.

Favorizim në procedurat e prokurimit

Hetimet kanë zbuluar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë bashkëpunuar në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike. Kontrata e prokurimit publik “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Policisë së Shtetit” kishte një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) për katër objekte policore, por në fakt përfundoi duke përfshirë vetëm dy objekte policore me një vlerë të reduktuar prej 34,248,000 lekë, kjo për shkak se Ministria e Brendshme nuk e kishte të plotë fondin, por për të favorizuar fituesin e lidhi kontratën vetëm për dy objekte, aq sa ishin fondet në dispozicion.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related