Një skandal i ri ka tronditur opinionin publik shqiptar pas daljes së informacioneve nga përgjimet e vitit 2020, ku përfshihen banda e njohur e Suel Çelës, politikanë dhe institucione në Elbasan. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lëshoi 21 masa sigurie për avokatë, biznesmenë, zyrtarë policie, gjyqtarë dhe gazetarë. Ky grup kriminal ishte i përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, përfshirë vrasje, korrupsion dhe trafikun ndërkombëtar të narkotikëve nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian.
Një nga të arrestuarat është ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila ka komunikuar vazhdimisht në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC” me anëtarët e bandës së Suel Çelës për të ndihmuar në marrjen e vendimeve në favor të tyre. Ajo gjithashtu ka urdhëruar sulme ndaj gazetarëve që denonconin korrupsionin e saj. Në dosjen e SPAK rezulton se vajza e Pajtime Fetahut, Megi Fetahu, është gjithashtu e përfshirë në disa biseda me anëtarë të grupit kriminal, pavarësisht se ndaj saj nuk ka ende masa sigurie. Emri i Megi Fetahut, pedagoge në Universitetin e Elbasanit, del në disa episode ku ajo diskuton me anëtarin e bandës Klaus Matishi, dhurata dhe pagesa financiare dhe një plan për të vendosur një person të besuar si drejtor të spitalit të Elbasanit, si dhe për të kontrolluar tenderat dhe aktivitetet narkotike në qytet.
Një tjetër episod Klaus Matishi (alias Klaus Çopja) i bën lavdërime Pajtime Fetahut, duke e quajtur atë “burreshe” dhe duke e konsideruar si një aleate të fortë për realizimin e interesave të grupit kriminal. Më tej ai thotë se Balla, duke iu referuar ish-ministrit Taulant Balla, “na do vetëm për vota”. Bisedat e zbardhura nga SPAK janë kryer nga 2020 e në vijim dhe asokohe Taulant Balla ka qenë drejtues politik i qarkut Elbasan.
Dedan Gjonit, i blenë makinë i informonte për hetimet
Nga ana tjetër Xhino Roka është pjesëtari i grupit që mbante kontaktet e Suel Çelës me Zv/shefi komisariatit të policisë së Elbasanit, Dedan Gjonin, të cilit një muaj para atentatit i kishin bërë dhuratë një makinë Benz B Klas. SPAK thotë se informacionet lidhur me ecurinë e hetimeve dhe pistat e hetimit të policisë së Elbasanit, Xhino Roka dyshohet se i ka marrë nga Dedan Gjoni, me të cilin komunikon edhe ditën e atentatit dhe e pyet nëse do bëhen kontrolle banesash në Elbasan edhe nëse punonjësit e policisë të ardhur nga Tirana do jenë të pranishëm në qytet. Pasditen e 8 qershorit 2020 Xhino Roka komunikon me Dedan Gjonin ku interesohet nëse gjatë mbrëmjes do të ketë apo jo kontrolle në Elbasan.
Xhino i shpreh siguri lidhur me disa persona të cilët edhe nëse kapen nuk flasin se janë të provuar. Gjithashtu i jep informacion se Ardian Çapja ka kundërshtarë një person me emrin ‘Kamer’. “Nga darka mund t’vim kontroll?”,i shkruan Xhino Dedanit. Grupi këshillohet të bëhet kujdes për përgjimet ambientale ndërsa punohet dhe për të eliminuar të gjitha pamjet që kamerat e sigurisë në një hotel aty ku ka ndodhur vrasja të jenë të fshira. “Ai ska gja, ka shpëtu. Kujdes se do të ket shumë përgjime ambientale. Ka shpëtu për 1 mm.. fatin me kapul dhe ne fat dhim..’”, shkruan Marsjus Lula në një bisedë.
