Një gjyqtare në detyrë gjatë kryerjes së krimit, Pajtime Fetahu, një zyrtar i lartë policie, Dedan Gjoni, avokatja që mbronte grupin e Suel Çelës dhe 2 gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno janë mes 21 masave të sigurisë si pjesë e një operacioni të SPAK për të shkatërruar grupin kriminal me shtrirje ndërkombëtare të dyshuar se drejtohet nga Suel Çela në Elbasan.
Gazetari Sokol Bregu, i ftuar në një studio televizive, tha se SPAK nuk ka nxituar me hetimet edhe pse i ka pasur prej 2 vitesh zbërthimet e SkyEcc
“Çdo personazh i krimit të organizuar ka pasur një SkyEcc. Francezët e kanë sjellë, nuk është vetëm Suel Çela as i pari dhe as i fundit që do i përkthehen kodet. Janë dhe të tjerë personazhe. SPAK nuk ka nxituar në hetime pavarësisht se i ka pasur prej dy vitesh zbërthimet e SkyEcc.
Për ne si gazetarë është më ndryshe, duke qenë se kemi dy kolegë një listën e operacionit, duhet të presim me çfarë motivacioni.
Janë 21 urdhër arreste, 18 janë proceduar, ka një ish-gjyqtare, një avokat, një ish-prokurore dhe 2 gazetarë. Pika kryesore ka qenë Çela, nuk kanë mundur ta arrestojnë në ato baza të tij apo me informacionet që mund të kenë pasur. Pavarësisht se ka bashkëpunuar dhe me policitë ndërkombëtare, është arrestuar vetëm një biznesmen në Itali, një nga miqtë e tij.
Suel Çela është një personazh që ka ardhur në rritje me aktivitetin e tij. Është akuzuar për herë të parë në 2006 për një vrasje.
Nuk ka qenë kurrë i hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. SPAK mendon se kjo procedurë ligjore që është kryer në Elbasan ka qenë në favor të tij në këmbim të aferave të tij dhe për këtë ka arrestuar një gjyqtare, avokaten dhe ka bërë kontrolle në shtëpinë e një ish-gjyqtari.”
Bregu tha se akuza për gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha është “korrupsion në sektorin privat në kuadër të organizatës kriminale”.
