Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar qeverinë për trajtimin e pensionistëve, duke e cilësuar bonusin e paraqitur nga qeveria si një propagandë të pastër zgjedhore. Në një video të postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku thekson se shpërblimi i fundvitit i ofruar nga qeveria nuk mund të mbulojë gjynahet e 11 viteve të neglizhencës dhe mungesës së respektit ndaj këtij grupi shoqëror.
“ Lëmoshë e vogël, propagandë e madhe! A mund të harrohet rënia reale e pensioneve dhe fuqisë blerëse të pensionistëve përmes një shpërblimi të vogël në fundvit, vetëm sepse është periudhë zgjedhore? ” – pyeti Tabaku, duke nënvizuar se pensionistët shqiptarë përballen me pensionet më të ulëta në rajon dhe janë më të goditurit nga rritja e çmimeve.
Sipas saj, pensionistët shqiptarë shpenzojnë deri në 50% të të ardhurave për ushqime, ndërsa qeveria ka dështuar të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar jetesën e tyre. “Ekonomia shqiptare nuk punon për 95% të shqiptarëve, por për një pakicë që përfiton në kurriz të tyre,” tha Tabaku, duke akuzuar qeverinë për mosindeksimin e pensioneve në përputhje me rritjen e çmimeve dhe dështimin e reformës së pensioneve.
Tabaku shtoi se për të ndryshuar këtë realitet, duhet të mendohet për një sistem të ri që vendos dinjitetin dhe vlerësimin e punës së pensionistëve në qendër. Ajo propozoi që fondet e pensioneve të përdoren për të garantuar pensione dinjitoze, jo për shpërblime të përkohshme dhe elektorale.
“ Pensionistët nuk janë një grup për vota, por qytetarë që meritojnë respekt dhe shpërblimin më të lartë për kontributin e tyre në ndërtimin e Shqipërisë, ” përfundoi ajo.
