Fshati Mançurisht në bashkinë Devoll, njihet si fshati i mollëve, por mollët që e kanë bërë të famshëm këtë fshat kanë mbetur pa shitur.
Emisioni “Fol” u ndalën në këtë fshat ku banorët thonë se magazinat janë plot me mollë por nuk ka treg për t’i shitur. Banorët thonë se problemin e kanë njëlloj si të majtë dhe të djathtë dhe se në këtë problem nuk kanë ndikim partitë.
“Kemi kultivuar mbi 20 dynym mollë, 30 dynym qepë, por nuk vijnë të pyesin sa është çmimi dhe me sa e grumbullojnë. Pikat e grumbullimit që janë bërë nuk i grumbullojnë. Molla në fillim të sezonit nisi mirë të shitej, por ra çmimi nga 40-50 lekë që shitej, arriti në 20 lekë, në mos më poshtë. Molla për lëng shkon 12 lekë kilogrami. Si do ngremë kokë ne. Ky pushtet që është ne na bie kokës që mos të ngremë kokë. Quhemi fshati i mollëve, por kush na njeh, po nuk na njohu qeveria”, tha një banor.
Një tjetër shprehet se malli iu mbetet stok që kur u bë Ballkani i Hapur.
“Na konkurrojnë shtetet e tjera, se ata subvencionojnë, por ne nuk subvencionohemi në asnjë lloj drejtimi. Shtetit i them “faleminderit shumë” që na ngre ilaçet bujqësore dhe na jep pak naftë, por dhe atë e bëjnë për të vjedhur vetë. Ngastrat nën 1 dynym tokë nuk përfitojnë, nuk futen në subvencionimin e naftës, qoftë dhe 990 metër. Ne gjysmat e ngastrave i kemi nën 1 dynym. Para gjashtë vjetësh ishte shumë më mirë se sot, u detyruam se kemi djemtë këtu, u detyruan djemtë ikën jashtë, jo se janë mirë, por të paktën punojnë. Po të filloj shitja e mollës, kthehen djemtë.”
