Një raport monitorimi i organizatës “Qëndresa Qytetare” mbi transparencën financiare të universiteteve në Shqipëri përgjatë vitit akademik nxjerr në pah faktin se universitetet vijojnë të financojnë më tepër për personelin dhe më pak për studentët dhe kërkimet e tyre shkencore.
Organizata Qëndresa Qytetare prezantoi të hënën gjetjet e raportit të monitorimit mbi transparencën financiare të shtatë universiteteve publike në Shqipëri përgjatë vitit akademik 2023-2024.
Sipas Ilir Brashës, ekspert i Qëndresa Qytetare, shpenzimet totale për shtatë universitetet e monitoruara kanë arritur shumën 87.9 milionë Euro, por pjesa më e madhe e tyre shkon për shpenzime personeli.
Listën e shpenzimeve totale e kryeson Universiteti i Tiranës me mbi 25 milionë Euro, ndërsa në vend të fundit renditet Universiteti Fan S.Noli i Korçës me 5 milionë Euro shpenzime.
Zërat kryesorë të shpenzimeve që marrin një buxhet të konsiderueshëm janë rikonstruksioni dhe ruajtja e godinave të universiteteve, si edhe honoraret dhe shpërblimet ndaj stafit. Sipas ekspertëve të monitorimit, shqetësuese vijon të mbetet situata lidhur me financimin dhe buxhetin që alokohet për kërkimin shkencor.
