Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës vështirë se do të hiqen gjatë këtij viti. Në shtetin e Francës, ndër vendet kryesore të bllokut evropian, thonë se diskutimet për këtë çështje brenda unionit janë duke vazhduar, por vënë në pah vështirësitë për një lëvizje pozitive në këtë drejtim. Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot thekson për KosovaPress, se janë pro heqjes graduale të masave, mirëpo, sipas tij, “veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit nuk po e bëjnë të lehtë përparimin”.
Në anën tjetër, partitë opozitare në Kosovë dhe njohësit e integrimeve evropiane nuk presin që Bashkimi Evropian t’ia heq masat Kosovës tani për tani. Ambasadori francez në Kosovë, Guerot, thotë se po shohin brenda unionin evropian se kur do të jetë e mundur heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. “Masat u vendosën në 23 qershor pas një lëvizjeje të Qeverisë së Kosovës që çoi në një situatë shumë të tensionuar, në trazira. Ka pasur diskutime më pas dhe diskutimet kanë rifilluar gjatë vitit 2024. Ne kemi qenë për një heqje graduale të masave, por disa veprime të njëanshme nuk e bëjnë të lehtë përparimin në atë drejtim.
Diskutimet do të vazhdojnë, janë duke vazhduar dhe do të shohim se kur do të jetë e mundur heqja e tyre. Jemi pro heqjes graduale të masave”, thekson ai. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndërmarrë disa veprime në veri, që janë kritikuar nga faktori ndërkombëtar. Ekzekutivi kosovar ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mbyllur disa degë të postës serbe, si dhe institucione paralele dhe ka shprehur synimin që të hapë për qarkullim të trafikut urën mbi lumin Ibër, për çfarë është kritikuar se rrezikon trazira dhe destabilitet.
