Në vijim të tryezave publike të drejtuara nga ekspertë të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, sot është diskutuar për procesin e rregullt ligjor dhe edukimin ligjor të publikut. Të pranishëm ishin përfaqësues universiteteve publike e jopublike, shoqërisë civile, institucioneve të pavarura, ekzekutivit, agjencitë ligjzbatuese, anëtarë të komisionit të posaçëm, medias, si dhe ekspertë dhe përfaqësues ndërkombëtarë të atashuar pranë komisionit nga: Delegacioni i BE-së, Prezenca e OSBE-së, Ambasada franceze, Ambasada suedeze, OPDAT, EU project, etj. Znj. Ina Xhepa, drejtoresha e Qendrës Europiane bëri një prezantim të gjetjeve të grupit të ekspertëve lidhur me sfidat dhe problematikat që hasen në mbrojtjen, respektimin dhe mekanizmat garantues të së drejtës për një proces të rregullt ligjor të qytetarëve.
Harta e re gjyqësore thonë ekspertët, ka krijuar sfida të mëdha për garantimin e procesit të rregullt, pasi duhet të sigurohet që ulja e numrit të gjykatave të mos pengojë qasjen e qytetarëve në drejtësi, ndërkohë që mungon edhe një plan i detajuar i shmangies së risqeve të ardhura nga zbatimi i hartës së re gjyqësore.
Afatet e tejzgjatura
Problem tjetër madhor theksojnë ekspertët është përfundimi i procesit brenda një afati të arsyeshëm. Ata vlerësojnë se cilësia dhe efektiviteti i drejtësisë vendoset në pikëpyetje për sa kohë kohëzgjatja e proceseve për një numër të madh çështjesh mbetet tepër e lartë. Për të pasur një proces të rregullt ligjor, ekspertët kërkojnë ndërhyrje të rëndësishme në disa fusha kyçe si shtimi i numrit të prokurorëve e gjyqtarëve dhe plotësimi sa më shpejtë i vendeve vakante. Një sugjerim i propozuar ishte rritja e mbështetjes financiare dhe burimeve shtesë për të përballuar ngarkesën, riaktivizimit efektiv të skemës së delegimit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) që të mund të mbulohen vakancat në Apel pa vonesa të panevojshme.
Vakancat në sistemin e drejtësisë
Po kështu sipas tyre numri i lartë i vendeve vakante në sistemin gjyqësor ka sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë, mbingarkesën e gjykatave dhe shkeljen e të drejtës për të përfunduar procesin brenda një afati të arsyeshëm, por edhe pamundësi shpërndarje të shortit për gjykimin e çështjeve.
Sipas gjetjeve të ekspertëve mbeten problem afatet e arsyetimit të vendimit për masat e sigurimit. Mungesa e sistemeve të përshtatshme që shërbejnë për menaxhimin e çështjeve gjyqësore krijon një vështirësi të shtuar në funksionimin e gjykatave. Ekspertët gjykojnë si zgjidhje përmirësimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit për menaxhimin e rasteve, komunikimin e aktorëve të sistemit dhe publikimin e vendimeve.
