Ma*akra e Dobraçit/ Lejuan personin e tretë të largohet nga vendngjarja, procedohen efektivët në Shkodër

Data

AMP ka kallëzuar në Prokurori disa prej efektivëve të Policisë së Shkodrës lidhur me masakrën në Dobraç më 30 tetor, ku humbën jetën katër persona, mes tyre dy qytetarë të pafajshëm.

Efektivët e policisë akuzohet se shpërdoruan detyrën sepse nuk ndaluan personin e tretë që ndodhej në makinë me dy viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Ndërkohë Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencën, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Posçme, për shkak se ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.

Nga disa filmime amatore me telefon pas ngjarjes, shfaqet një person i gjakosur pranë trupit të viktimave, i cili ende nuk është identifikuar. Ai dyshohet se pas atentatit është arratisur në drejtim të paditur.

Personi i tretë, ende i paidentifikuar dhe i pa konfirmuar zyrtarisht, mund të ketë qenë Ibrahim Lici, i njohur ndryshe me nofkën “Fantazma” dhe që është vëllai i Hamza Licit. Ibrahim Lici, ose siç e thërrasin shkurt “Braçja”, dyshohet se ka mbetur i plagosur me dy plumba, teksa Policia ka ushtruar kontrolle në disa klinika private në Shkodër, Lezhë, Fier dhe Vlorë, por ende nuk ka gjetur asnjë gjurmë të tij.

Ibrahim Lici u arrestua në Turqi më 13 shkurt të këtij viti, i shpallur në kërkim si autor i vrasjes së Endri Mustafës më 15 maj të vitit 2021. Por, ekstradimi i tij nuk u krye për faktin se Lici pretendonte se në vendin tonë kishte shumë armiq që kërkonin ta vrisnin dhe më pas ai u lirua në masën “Arrest shtëpie”.

Dyshohet se ai ka hyrë në vendin tonë ilgalisht kohë më parë, teksa autoritet turke nuk iu kanë kthyer përgjigje atyre shqiptare se çfarë është bërë me të dhe a është mbajtur nën kontroll në Turqi.

Hetuesit po presin rezultatet e analizës shkencore të armës së tretë që u gjet në automjetin e viktimave, përmes së cilës do të përcaktohet nëse shenjat e gjurmëve të gishtërinjve ose gjakut i përkasin Ibrahim Licit.

Atentati

Dyshohet se shënjestër e atij atentati mafioz ishin 23-vjeçari Hamza Lici dhe 32-vjeçari Arlind Bushati, të cilët ranë pre e breshërisë së kallashnikovit në momentin kur po udhëtonin me një automjet tip “Benz” me targa kroate. Lici ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa Bushati pas disa orësh në spital.

Ndërkohë, mbetën dhe dy viktima aksidentale, çifti Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët po udhëtonin me motor në momentin kur u përplasën nga automjeti me të cilin po udhëtonin dy viktimat e tjera. Flutura Basha ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, teksa bashkëshorti i saj Bashkim Basha mbeti i plagosur rëndë, por dhe ai nuk arriti dot t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë pas 4 ditësh në spital. Çifti Bashkim dhe Flutura Basha lanë pas tre fëmijë, teksa në momentin e atentatit ata po ktheheshin pas pune për në banesën e tyre.

Kujtojmë se viktima Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër më 15 maj të vitit 2021.

Licët kanë përplasje të ashpër me Bajrat në Shkodër, një përplasje e cila ka sjellë dhjetra viktima në vitetet e fundit. Nga bisedat në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” rezultonte se Behar Bajri kërkonte ta vriste me çdo kusht Ibrahim Licin, i njohur me nofkën “Fantazma”, por që nuk ia ka dalë dot.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related