Pensionistët i mashtroi me 700 lekë, qeveria i bëri edhe kryebashkiakët milionerë, marrin rrogë 4 herë më shumë se…

Data

I trembur nga goditja që të moshuarit mund t’i japin me votë në zgjedhjet e 2025, pasi iu dha “lëmoshë” prej 700 lekësh të reja, kryeministri Edi Rama e ka gjetur problemin tek bizneset. Ai akuzon biznesmenët si përgjegjës për mosrritjen e pensioneve duke u përpjekur të argumentojë se punëdhënësit nuk deklarojnë pagat e plota që i paguajnë punëmarrësve, duke shmangur në këtë mënyrë detyrimet për sigurime shoqërore. Kryeministri nuk ofron ndonjë asnjë analizë për përmasat e problemit, por përdor gjuhë të ashpër, duke akuzuar “biznesmenët” si “vjedhës”. Por pse qeveria paska patur fonde për rritjen e rrogave të kryebashkiakëve dhe për pensionistët nuk ka buxhet? Pak ditë më parë raportuam se rreth një vit e gjysmë më parë, rrogat e deputetëve u dyfishuan dhe këtë fakt Edi Rama nuk e përmendi asnjëherë në takimet me pensionistët. Nuk është vetëm rritja e rrogave të deputetëve, pasi qeveria vendosi në muajin shtator të rrisë pagat e punonjësve të të gjitha bashkive në vend, por ata që kanë përfituar më shumë janë kryebashkiakët.

Kryebashkiakët milionerë

Këta të fundit kanë përfituar nga vendimi i qeverisë dhe kanë miratuar rritjen e pagave, ku sipas raportimeve deri më sot, nëpërmjet Këshillit Bashkiak kanë votuar rritjen maksimale të pagave të tyre. Armando Subashi i Fierit dhe Emiriana Sako e Durrësit kanë vendosur që të marrin nga 2.9 milionë lekë të vjetra në muaj, me rritje më shumë se 50%, ndërsa punonjësit e tjerë janë mjaftuar me rritje minimale pagash. Në Fier, edhe opozita ishte dakord me rritjen e pagës së Subashit, ndërkohë që në Durrës këshilltarët opozitarë kanë braktisur mbledhjen ku Sako miratoi 2.9 milionë lekët që do të derdhen çdo muaj në llogarinë e saj. Por, nëse do ta krahasonim me pagën mesatare në Shqipëri, atëherë rezulton se këta kryebashkiakë marrin rreth 4 herë më shumë.

Pensionistët sot në protestë

Duke parë situatën e rëndë, në të cilën ndodhen, pensionistët do të mblidhen sërish për protestë ditën e sotme, për të kërkuar pensione më të denja dhe një minimum jetik. Kjo do të jetë protesta e katërt e tyre radhazi përballë Kryeministrisë, duke i bërë apel qeverisë për të dëgjuar zërat e tyre. Lëvizja Bashkë, një nga organizatorët kryesorë të kësaj lëvizjeje, ka bërë thirrje përmes rrjeteve sociale, duke theksuar që Shqipëria është aktualisht në fund të listës së vendeve evropiane për sa i përket nivelit të pensioneve, ndërsa mban vendin e parë për numrin e emigrantëve në raport me popullsinë. Ky është një tregues shqetësues për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, e cila kërkon vëmendje dhe zgjidhje urgjente. Në postimet e tyre, Lëvizja Bashkë thekson që udhëheqësit, si të tashmit ashtu edhe ata që kanë qeverisur më herët, nuk kanë treguar kujdes për pensionistët.

Në vend të përmirësimit të kushteve të tyre, pensionistët ndihen të neglizhuar dhe pa mbështetje të duhur për një jetë të qetë dhe të denjë. Një ndër arsyet kryesore për këtë protestë është pakënaqësia për rritjen minimale të pensioneve. Pak muaj më parë, qeveria vendosi një rritje të vogël prej vetëm 4,000 lekësh të vjetra për pensionistët. Me rritjen e kostove të jetesës, këto fonde janë të pamjaftueshme për të përballuar nevojat bazike të përditshme. Pensionistët dhe organizatat që i mbështesin theksojnë se kjo është më shumë se një kërkesë për rritje monetare; është një kërkesë për dinjitet dhe për një jetë të denjë. Shqipëria ka nevojë të kujdeset për të moshuarit e saj, që të ndihen të sigurt dhe të respektuar për punën dhe kontributin që kanë dhënë ndër vite. Protesta është një thirrje për të gjithë ata që ndihen të lënë pas dore dhe pa mbështetje në këto kohë të vështira. Pensionistët po kërkojnë të drejtën për një minimum jetik dhe kushte më të mira ekonomike, të cilat janë baza e një jete të shëndetshme dhe të qetë.

Një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje po përhapet përmes rrjeteve sociale, duke ftuar të rinj e të moshuar, të gjithë ata që janë të shqetësuar për të ardhmen e pensionistëve dhe për një Shqipëri më të drejtë. Pensionistët e kanë bërë të qartë që nuk do të ndalen derisa të dëgjohen dhe të arrihet një zgjidhje e drejtë. Ata po kërkojnë që qeveria të marrë masa konkrete për të përmirësuar nivelin e pensioneve dhe jetesës së tyre, duke u dhënë atyre respektin dhe mbështetjen që meritojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related