Liderë shtetesh, ministra dhe zyrtarë tjerë prej gati 200 shteteve të botës mblidhen të hënën në Azerbajxhan për t’i ndjekur punimet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
Fokusi do të jetë se si të parandalohet ngrohja globale, por edhe pasojat e saj vdekjeprurëse.
Në këtë konferencë dyjavore pritet të adresohen përkushtimet financiare për shtetet e varfra që janë prekur nga valët e të nxehtit, stuhitë dhe vërshimet, dhe që intensiteti i tyre është rritur për shkak të ndryshimeve klimatike.
Shtetet në zhvillim dhe organizatat për ambientin presin nga shtetet e pasura që të mobilizohen për t’i ndarë të paktën 1 trilion dollarë në vit – 10 herë më shumë sesa zotimi aktual prej 100 miliardë dollarëve në vit.
