Shpërbërja e qeverisë sjell pasiguri! DW: A do ndikojë kriza politike në angazhimin gjerman në botë?

Data

Koalicioni qeveritar në Gjermani me SPD-Të-Gjelbrit- FDP tani i përket historisë. Ky koalicion u shpërbë të mërkurën (06.11.), për shkak të mosmarrëveshjes për politikën e duhur ekonomike për ta rigjallëruar ekonominë gjermane.

Kancelari Olaf Scholz kishte paraqitur të mërkurën për miratim, në një mbledhje të komisionit të koalicionit, një dokument me vendime. Dokumenti kërkonte të pranohej se Gjermania po përjeton një situatë emergjente. Kjo do të justifikonte juridikisht marrjen e një borxhi dyshifror miliardash nga qeveria. Në situata emergjente frena kushtetuese për borxhin lejohet të shkelet. (Tre miliardë euro nga borxhi 15 miliardë euro u tha se do të përdoreshin për të shtuar ndihmën për Ukrainën).
Dokumenti i kancelarit ishte përgjigje ndaj kërkesave të së premtes së kaluar (01.11.) të ministrit të Financave, Christian Lindner, kur me një dokument 18 faqesh Lindneri kërkoi papritur një kthesë radikale ekonomike: shkurtime masive të shpenzimeve dhe ulje taksash.

Por Lindneri, nga partia më e vogël liberale FDP, nuk i pranoi të mërkurën propozimet e kancelarit. Kjo megjithë katër përpjekjet për kompromis nga kancelari që prej së hënës, në takime treshe edhe me përfaqësuesin e Të Gjelbërve, Robert Habeck. Linderi nguli këmbë në përgatitje të përbashkëta për të shkuar „me rregull e dinjitet” në zgjedhje të parakohshme në janar.

Motivimi dhe kronologjia e ngjarjes
Refuzimi i fundit i ministrit të Financave e bëri “të patolerueshme” situatën për kancelarin Scholz. Olaf Scholzi vendosi të jetë ai që ta kontrollojë procesin. Ai i kërkoi Presidentit të Gjermanisë lirimin nga detyra të ministrit të Financave, Christian Lindner.

Në një deklaratë para medieve të mërkurën në mbrëmje Scholzi tha se Lindneri e “kishte shkelur shumë herë besimin e tij”. Ai kishte “bllokuar ligjet për shkaqe që nuk kishin të bënin me përmbajtjen”. Dhe kishte ndjekur “shumë shpesh një politikë të ngushtë partiake”. Kancelari tha se “kushdo që në një situatë të tillë refuzon…një ofertë kompromisi, vepron në mënyrë të papërgjegjshme”. Në vazhdim, qeverinë e braktisën edhe dy ministra të tjerë liberalë të FDP-së.
Tronditje dhe lehtësim në Gjermani
Sot (08.11.) shumë gjermanë shprehen në medie të lehtësuar, që mori fund ajo që përjetohej si një ecje e frenuar, apo edhe si paralizë në qeverinë në Berlin. Kështu janë shprehur edhe përfaqësues të socialdemokratëve dhe të liberalëve të FDP. Në sondazhe të ndryshme të fundit, SPD mbetet stabile te 16%, FDP luhatet midis 3-5%. Llogaria e mundshme e Linderit, që partia e tij, e rrezikuar të mos hyjë në Bundestagun e ri (pragu është 5%), të shihet nga njerëzit si çliruese nga një koalicion qeveritar jo popullor, deri tani nuk shpërblehet në sondazhe.

Të mërkurën në mbrëmje dhe pjesërisht dje, mbizotëronin megjithatë opinione të tronditura. Kjo kishte të bënte me ditën kur u shpërbë qeveria: e mërkura ishte dita kur Donald Trumpi u rizgjodh qartë President i SHBA. Kjo ka shkaktuar pasiguri në BE dhe veçanërisht në Gjermani: për politikat ekonomike dhe të sigurisë që do të ndjekë Trumpi. Në një deklaratë të posaçme dje (07.11.) Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u ndje i detyruar të kujtojë se “fundi i një koalicioni nuk është fundi i botës…”. Ai foli njëkohësisht për „orë dramatike” për Gjermaninë.

Koalicioni qeveritar në Gjermani ishte jo shumë popullor, për shkak të fërkimeve publike. Dramatika u ushqye nga përkimi i zhvillimeve në SHBA me shkarkimin e papritur, spektakolar nga kancelari Scholz, të ministrit liberal të Financave.

Zgjedhjet e parakohshme të rralla në RFGJ
Zgjedhjet e parakohshme nuk janë të pazakonta në vende të tjera evropiane. Por Gjermania ka qenë gjithë këto vite simbol i stabilitetit politik. Presidenti Steinmeier kujtoi se në 75 vjet Republikë Federale të Gjermanisë janë shumë të pakta rastet, kur një qeveri gjermane e ka humbur shumicën parlamentare ende pa mbaruar legjislatura.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related