Partia Demokratike ka denoncuar ditën e djeshme se po fabrikohet kriza energjetike në vend. Në një deklaratë për mediat, anëtari i Këshillit Kombëtar, Akil Kraja u shpreh se skandali po ndodh në zyrat e ministres së Energjisë, Belinda Balluku. “Prej vitit 2013, fjala “krizë” ka shoqëruar çdo vendimmarrje abuzive të qeverisë Rama. Tërmeti i vitit 2019 ishte justifikimi ideal për të mbuluar abuzimet me fondet e rindërtimit. Covid-19 u gjet si justifikim për qindra tenderë sekretë. Më herët, kriza mjedisore u përdor si justifikim ligjor e financiar për të grabitur qindra milionë euro me inceneratorët fantazmë. “Kriza” e radhës duket se po fabrikohet në zyrat e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës drejtuar nga “krye”ministresha Balluku”, u shpreh Kraja.
Krizë energjetike e qëllimshme
Sipas PD, një mungesë energjie që do t’u kushtojë taksapaguesve minimalisht mbi 80 milion euro. “A po shkon Shqipëria drejt një krize energjetike, të qëllimtë, teksa rezerva hidrike e Fierzës ka zbritur drejt kuotës 267 metër? Ky nivel i kuotës garanton aktualisht 423 milion Kë/orë prodhim energjie. Sipas rregullores së digave në kaskadën e Drinit, niveli në liqenin e Fierzës duhej të ishte 289 metra, ose 22 metra më shumë se niveli i sotëm prej 267 metrash. Në terma prodhimi, sot, sipas rregullores së digave, Shqipëria duhej të kishte 1 miliardë e 106 milion Kë/orë. Energjia e munguar nga keq-shfrytëzimi i kaskadës së Drinit është 683 milion Kë/orë. Një mungesë energjie që do t’u kushtojë taksapaguesve minimalisht mbi 80 milion euro. Për të mbushur këtë mungesë nga prodhimi vendas, Ministria dhe agjencitë nën përgjegjësinë e Ministres Balluku do të duhet t’i adresohen blerjeve në bursë. Por siç është bërë tanimë zakon, Shqipëria e shet lirë dhe e blen shtrenjtë energjinë e saj. Një praktikë abuzive, që shkel çdo protokoll e procedurë të energjisë.
Një praktikë e cila është në gjenezë të krizës që po troket, e që do të përdoret si justifikim për blerje qindra milionëshe. Mbase, edhe për të vendosur në punë sa për spektaklin e radhës dy Tec-et lundruese të Vlorës të cilët kushtojnë çdo ditë 94 mijë dollarë dhe që kanë përthithur pa u vënë asnjë ditë në punë mbi 46 milion dollarë. Kjo është arsyeja e vërtetë përse pensionet në Shqipëri nuk rriten. Nën justifikimin e krizave te njëpasnjëshme, taksat e qytetarëve shkojnë për të financuar fushata shit-blerje votash, drejtorë sipërmarrës, e propaganda të gënjeshtërta. Një vjedhje e përditshme në gjendjen e krizës së përhershme. Kjo situatë duhet të marrë fund. Qeveria teknike është e vetmja rrugëdalje”, mbyllet reagimi i PD.
Balluku në SPAK për aferat me energjinë
Kujtojmë se pak ditë më parë grupi Parlamentar i PD-së paditi në SPAK Belinda Ballukun duke e akuzuar se vetëm për 1 vit grabiti rreth 180 milionë euro me shitjen e energjisë. Denoncuesi i asaj që e quan një prej aferave më të mëdha korruptive, Gazment Bardhi thotë se me dijeni të Ballukut, energjia elektrike është shitur me humbje jashtë tregut të bursës. Në një deklaratë për mediat, Gazment Bardhi tha se Balluku vetëm për 1 vit grabiti rreth 180 milionë euro me shitjen e energjisë. “KESH nuk e ka nxjerrë energjinë e pa kontraktuar në Bursë, por e ka blerë shtrenjtë dhe e ka shitur lirë tek kompani private të shitblerjes së energjisë elektrike.
Vitin e kaluar, KESH ka deklaruar se ka blerë jashtë bursës rreth 561 mijë megavat orë me çmim më të lartë sesa shitej në bursë. KESH-i jo vetëm ka blerë shtrenjtë jashtë bursës, por edhe ka shitur lirë po jashtë bursës, megjithëse ligji ia ndalon tregtimin jashtë bursës shqiptare të energjisë. Vetëm për vitin 2023, KESH ka shitur jashtë bursës rreth 640 mijë megavat orë energji”, tha Bardhi.
