Brukseli del hapur kundër komisionit “Xhafaj” dhe i dërgon mesazhin e fortë qeverisë, deklaron se korrupsionin po…

Data

Brukseli ka dalë hapur kundër Komisionit Anti-Korrupsion “Xhafaj” të ngritur nga qeveria shqiptare, i cili synon të ushtrojë kontroll mbi sistemin e drejtësisë, duke dërguar një mesazh të qartë dhe të fortë për autoritetet shqiptare. Përmes një deklarate të fortë të bërë nga Kryesia e Kuvendit, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë ka theksuar mbështetjen për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) si institucionin kryesor për luftën ndaj korrupsionit dhe ka nënvizuar se nuk ka arsye për të krijuar mekanizma të tjerë që mund të dëmtojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Në këtë kontekst, BE në mesazhin e saj, ka theksuar se çdo përpjekje për të minuar pavarësinë e drejtësisë, përmes mekanizmave të tjerë të krijuar me synim kontrollin politik, do të jetë e papranueshme. Pra ky qëndrim shpreh një shqetësim serioz për rrezikun e ndikimeve politike në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe kërkon një angazhim të qeverisë për të mbajtur të paprekur mekanizmat e pavarur në luftën kundër korrupsionit.

Detajet

Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, u mbajt tryeza e hapur për debat publik për konsultimin e Dokumentit Analitik, me temë “Integriteti i Administratës Publike dhe Ofrimi i Shërbimeve Digjitale për parandalimin e Korrupsionit”. Takimi u organizua nga komisioni “Xhafaj”. Fokusi i tryezës ishte prezantimi i gjetjeve kryesore nga grupi i ekspertëve dhe çështje të nevojshme për konsultim dhe debat publik lidhur me integritetin në administratën publike. Por paralel me të, Qeveria lançoi strategjinë ndërsektoriale kundër korrupsionit.

I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato. Sipas tij, SPAK po dëshmon se po e lufton korrupsionin dhe ata s’kanë pse të shpikin për herë të dytë rrotën, duke goditur komisionin “Xhafaj”. “Në kohën e duhur edhe në aspektin e punës që po zhvillohet në Komisionin Parlamentar që po drejtohet nga Xhafaj, do thoja që shumë prej çështjeve që komisioni do të identifikojë do të trajtohen nga zbatimi efektiv i kësaj strategjie, në këtë kuptim nuk ka nevojë të shpikim rrotën nga e para, duke përcaktuar përparësi, objektiva me afate të caktuara, përpjekjet ndaj korrupsionit përmbushen me efektivitet”, deklaroi Gonzato.

Mesazhi për institucionet

Ndërkohë në takim ishte dhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Sipas ambasadorit të BE, të gjithë duhet të bëjnë detyrën që u takon. “Ministrja e Shtetit Adea Pirdeni prezantoi sot strategjinë e re të Shqipërisë kundër korrupsionit, një nismë e mbështetur në mënyrë aktive nga BE-ja, e cila do të promovojë transparencë dhe llogaridhënie më të madhe. Trajtimi i korrupsionit është një detyrim nga negociatat e anëtarësimit, por nuk është vetëm kaq. Është diçka që i detyrohemi popullit shqiptar që pret të jetojë në një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.

Tani, fokusi duhet të jetë në zbatimin e strategjisë përmes proceseve të koordinuara dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë të gjitha institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile. BE-ja është këtu për të mbështetur Shqipërinë në këto përpjekje përmes asistencës së gjerë teknike, projekteve të synuara dhe mbështetjes financiare, duke përfshirë edhe Planin e Rritjes”, nënvizoi Gonzato. Sa i takon tryezës së Xhafajt, ekspertët vlerësuan se analiza e situatës së etikës dhe integritetit të Administratës Publike në Shqipëri merr një vlerë të veçantë për të pasur një administratë në standardet europiane dhe e përkushtuar në shërbimin ndaj qytetarëve. Lidhur me gjetjet dhe problematikat për këtë çështje, ekspertët u shprehën për mungesën e një zinxhiri të qartë hapash, procedurash dhe afatesh kohore kur ka raste të shkeljeve të Kodit të Etikës dhe integritetit nga ana e zyrtarëve apo nëpunësve publikë, apo në rastet kur denoncohen nga qytetarë, media dhe grupe interesi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related