Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela shprehet se drejtësia do të shtojë akuzat për ish-presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e PD Sali Berisha. Z.Çela ka bërë një reagim të fortë për gazetën duke paralajmëruar se çifti i zhytur në afera korruptive do të shesin njëri-tjetrin në SPAK. Ai është i bindur se Prokuroria e Posaçme nuk do të lëkundet nga kërcënimet e Metës dhe Berishës. Deputeti socialist vlerëson punën e SPAK.
“Vlerësim maksimal kudo! Për Strukturën e SPAK si dhe për qëndrimin qytetar! Stabiliteti politik është më i qëndrueshëm se kurrë, dhe ndërkombëtarët kanë duartrokitur. Negociatat me BE-në u futën drejtpërdrejt në një qëndrim të ri ndaj qeverisë, duke hapur disa kapituj shumë të rëndësishëm. Ne, që jemi Partia Socialiste, domethënë qeveria, flasim për 2030-ën, ata na shohin si më të plotë dhe e shohin më të shkurtër këtë kohë në 2027. Kërcënimet Ilir Metës dhe Sali Berishës ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) janë mjerane, që dalin nga goja e dy njerëzve të zhytur keq në afera korruptive, por edhe të mësuar të sillen jo si të papërgjegjshëm, por siç thotë populli, me gjuhën e ditës si të LAJTHITUR!
Ata prokurorë nuk dëgjojnë, janë të shurdhër nga këto lehje! Zero ndikim, jo më frikë! Pozitat e çiftit Meta-Berisha kanë perënduar… e shumta do të bëjnë dhe disa deklarata me tone kërcënuese, pastaj do të fillojnë të treten më shpejt se sa koha që konsumon për t’u majmur duke kryer krime dhe vepra të të gjitha ngjyrave, jo vetëm aq sa kanë në akuzë për momentin! Të dy dorë për dore dhe nga vendet e ndara do t’i plotësojnë dosjen dhe më shumë njeri-tjetrit në SPAK! Është shumë pak të thuash frikë…Saliu dhe Iliri janë përfundimisht të TREDHUR! Me teorinë e mosbindjes, Berisha po vazhdon duke përdorur si mish për top disa mjeranë”, u shpreh Z.Çela në reagimin për gazetën “SOT”.
Çfarë dinë Meta dhe Berisha për njëri-tjetrin?
Berisha dhe Meta dinë shumë për njëri-tjetrin. Përplasja e fundit mes tyre u shënua në shtator 2015, kur Berisha kërkoi që Meta të merrej i pandehur për aferën CEZ-DIA. Një nga këto akuza është vërtetuar me prova nga SPAK. Ndërkaq, në mars të vitit 2015, ku Berisha e akuzonte Metën se kishte porositur vrasjen e dy deputetëve, ndërsa Meta, nën trysninë e akuzave tronditëse, shantazhoi Berishën, duke e kërcënuar se do të publikonte një video komprometuese të Shkëlzenit. ‘Se të kërcënon ty Dritani me videot e Zenit, bashkë me Tomën, kjo është çështje tjetër, nuk është çështja ime, të lutem shumë! Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë, dhe më the: “Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Më thoshe: “Ça t’i bëj këtij budallait se më turpëroi!”
Vazhdo ende me mendtë e Shkëlzenit! Vazhdo, se unë nuk kam çfarë të bëj për ty”, tha Meta. Nga viti 1999 deri në maj të vitit 2015, Berisha ka artikuluar akuzat nga më të rëndat në adresë të Ilir Metës, që nga vjedhja e thesarit të shtetit, vrasje, trafik droge, armësh fëmijësh, zhdukje njerëzish, përvetësim të pasurive publike, klientelizëm, pazare me pasuritë publike etj. Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë debatuar dhe akuzuar njëri-tjetrin edhe për çështjen e vjedhjes së floririt në 13 tetor të vitit 2008, disa muaj para se të bashkoheshin në një koalicion qeverisës. Në seancën e 13 tetorit 2008, Berisha shprehet se “…ai tjetri nuk quhet Arben Malaj, por Arben Cenaj, ai tjetri në fund nuk quhet Ilir Meta, por Ilir Floriri, ai tjetri atje nuk quhet Engjëll Bejtja, por Engjëll Armo-ja dhe kështu me radhë. Prandaj, ju garantoj juve se kjo është një praktikë standarde”. Në përgjigjen e tij, Ilir Meta thotë se floririn në fakt e ka vjedhur Sali Berisha.
