Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka nisur një letër të gjithë bordeve të donatorëve që bëjnë raporte monitorimi për Shqipërinë, me autore Linda Rama. Në letrën drejtuar UNDP, ILO, UNICEF, USAID thuhet se Rama, sipas ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, është gjendur përballë konfliktet të interesit sa herë që është kontraktuar nga ana e donatorëve për të kryer matje, analiza apo vlerësime ekonomike apo sociale për Shqipërinë, për aq kohë sa bashkëshorti i saj është Kryeministri i vendit. Më tej deputetët ngrenë shqetësimin se kredibiliteti edhe paanshmëria e produkteve te sponsorizuara nga institucionet ndërkombëtare dëmtohet rëndë në kushtet kur një nga autoret është pikërisht Linda Rama e cila për shkak te interes të drejtpërdrejtë e ka te pamundur paanshmërinë.
“Duke vlerësuar maksimalisht institucionet tuaja prestigjioze të cilat e kanë ndihmuar edhe e ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit dhe reformave duam të ndajmë me ju një shqetësim thelbësor që lidhet me paanshmërinë dhe impaktin real të projekteve tuaja nga te cilat rrjedhin qëndrimet tuaja mbi ecurinë e Shqipërisë. Raportet tuaja të monitorimit për Shqipërinë kanë një nga autorët themelor Linda Rama ose qendrën ku ajo është bashkëthemeluese ‘Human Development Promotion Center’ Linda Rama, është bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama. Ajo sipas protokollit shtetëror përfaqëson bashkë me të shoqin qeverinë shqiptare.
