Deputetja demokrate, Oriola Pampuri ka ironizuar mosbindjen civile të Sali Berishës. E distancuar tashmë nga ish-kryeministri, sipas kësaj e gjitha kjo bëhet për interesat e tyre dhe fshihet diçka me e madhe pasi në komisionet parlamentare duhet që të diskutohet për buxhetin. “Nuk më duket mosbindje civile. Vizioni i tyre është krejt tjetër. Të bësh të njëjtat skena, të kesh të njëjtën rezultat ose duhet të jesh naiv ose fsheh diçka. Pas kësaj fshihet një pakt tjetër i madh. Jemi në kohën kur duhet të ketë debate për buxhetin. Nga nesër në komisione parlamentare diskutohet buxheti. Të bësh skena të tilla kur e di si do të jetë fundi, naiv nuk janë por duhet të ketë një pakt të radhës”, deklaroi ajo dje në një media.
Më tej Pampuri thotë se PD e ëndërron komisionin Xhafa ashtu si dhe PS-ja si dhe po i bëjnë gjithçka që të godasin SPAK. Sipas saj, ka një marrëveshje midis tyre pasi pranuan vulën dhe bashkuan votat dhe bëjnë rrëmuje pasi jemi në prag zgjedhjesh. “Ata e ëndërrojnë komisionin Xhafa. Asnjëra palë nuk e do SPAK. Po bëjnë gjithçka që ta godasin SPAK. Të dy palët kanë një hall përballë SPAK. Pritet të kenë një reagim ndaj SPAK, mund të jetë komisioni Xhafa. Pranuan faktin vulën, të bashkojnë votat për listat. Bëjnë dhe një rrëmujë para zgjedhjeve. Bëjnë dhe një pakt, por pakteve të tilla u ka dalë boja”, nënvizoi Pampuri.
