Niveli i ulët i pensioneve që marrin të moshuarit në Shqipëri është shndërruar në një nga çështjet më të nxehta të debatit publik. Kryeministri Edi Rama mashtroi pensionistët se do të merrnin rritje të madhe në tetor të këtij viti, por që në fund rezultoi gënjeshtër. Disa madje besuan dhe premtimin e Ramës se do t’ua rriste pensionet si në vendet e Bashkimit Europian për punë muajsh, sa të dilte nafta në Shpirag. Të dhënat zyrtare nga Eurostat, tregojnë se aktualisht një pensionist shqiptar përfiton rreth 2 herë më pak pension se sa fqinjët. Aktualisht pagesa mesatare e pensionit në Shqipëri luhatet rreth 131 euro në muaj. Në vendet fqinje të rajonit pensionet janë minimalisht dy herë më të larta se në Shqipëri.
Në Bosnje, pensionistët paguhen 237 euro në muaj. Në Serbi ata përfitojnë 276 euro në muaj, ndërsa në Malin e Zi pagesa mesatare mujore për pensionist është 291 euro. Megjithatë këto janë vetëm shifrat absolute. Diskriminimi real i pensionistëve shqiptarë është shumë më i madh nëse matet sipas fuqisë reale blerëse që u garanton pensioni i tyre. Aktualisht një pensionist shqiptar paguhet 244 euro në muaj sipas fuqisë blerëse. Në Bullgari, shifra është 437 euro, ndërsa në Bosnje 456 euro. Në të gjitha vendet e ngjashme të Ballkanit Perëndimor, pensionistët mund të blejnë me pensionin që u paguan qeveria të paktën dy herë më shumë mallra dhe shërbime se sa të moshuarit në Shqipëri.
Buxheti
Pavarësisht kësaj situate dramatike, ku Shqipëria i paguan pensionistët dy herë më pak edhe se sa vendet e ngjashme fqinje, Edi Rama ka vendosur që të mos i rrisë ato as për vitin tjetër. Në buxhetin e vitit 2025, qeveria ka parashikuar vetëm 1.6 miliardë lekë ose 16 milionë euro si fond për indeksimin e pensioneve. Sipas Kapital, ky fond është 2 herë e gjysmë më i ulët se sa ai që qeveria dha për indeksimin e pensioneve gjatë këtij viti dhe sipas llogarive mjafton vetëm për të indeksuar pensionet me diçka më shumë se 1 për qind.
Kjo do të thotë se nëse gjatë këtij viti qeveria i indeksoi pensionet duke i rritur me 700 lekë në muaj, gjatë vitit të ardhshëm rritja do të jetë rreth 200 lekë në muaj. Ndërkohë për bonusin e përvitshëm të pensionistëve, atë që qeveria jep çdo vit për festat e fundvitit, për vitin e ardhshëm janë parashikuar 37.5 milionë euro, po aq sa ishin parashikuar në buxhetin e këtij viti. Pensionet shtetërore në Shqipëri do të vijojnë të mbeten qesharake, duke mos u garantuar pensionistëve as shpenzimet më bazike të jetesës teksa qeveria ka prioritete të tjera buxhetore duke e lënë armatën e mbi 700 mijë pensionistëve në kthetrat e varfërisë permanente.
