Kreu i Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, tha se mandati i Edi Ramës në Durrës është prodhim i votave të bandave të krimit dhe këtë sipas tij e tregoi arrestimi i ish-deputetit Jurgis Çyrbja. Gjatë një prononcimi për mediat, Basha më tej tha se me gjasë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është në hapat e tij të fundit dhe se ka zero shanse t’i shpëtojë drejtësisë. “Mandati i Edi Ramës është prodhim i krimit, i votave të krimit. Tashmë është një fakt gjyqësor, fakt i hetimit gjyqësor që mandate i Edi Ramës, vet mandati i Edi Ramës në Durrës është prodhim i votave të krimit, të bandave të krimit. Faktin që sot e kemi me shumë gjasa Erion Veliajn në hapat e tij të fundit para masave që duhen marrë. Nuk pretendoj të flas në emër të organeve të drejtësisë, por një gjë që dua t’jua them, zero shanse që Erion Veliaj t’i shpëtojë drejtësisë. Të gjitha këto, nga njëra anë na bëjnë të reflektojmë për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi, për të mbështetur SPAK-un, për të mbështetur Altin Dumanin dhe ekipin e tij dhe jo për t’ju kundërvënë”, deklaroi ai.
Ndërkohë Basha, ka folur për masakrën në Shkodër ku një nga viktimat është edhe djali i kryetarit të Këshillit Kombëtar të Demokratëve Euroatlantikë, Xhemal Bushati. Basha theksoi se përtej këtij dimensioni personal, ajo që bie në sy të çdo shkodrani dhe çdo shqiptari, është dorëzimi i shtetit para krimit. Ai më tej tha se bilanci tragjik i këtij krimi të përbindshëm, rëndon tërësisht në duart e shtetit dhe është tashmë një fakt që e di i madh dhe i vogël që në Shkodër, është bërë njësh me politikën e lartë dhe ka vënë nën kontroll policinë e shtetit. “Shkodra është jo thjesht në zi, është një qytet ku ka pllakosur një dramë shpirtërore e gjithë qytetarëve. Sepse raste si ky, ku nuk kursehen as kalimtarët e çastit, ilustrojnë që në Shkodër, sikundër edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, e ke kokën në satër në çdo moment. Pra, është rënia përfundimtare e shtetit, është shkrirja në një e krimit të organizuar me shtetin”, nënvizoi Basha.
