Edi Rama, pensionistët dhe Noc Rroku

Data

Kurrë më parë nuk janë harxhuar kaq shumë fjalë – sa ç’përdori Edi Rama mbrëmë përpara një grupi pensionistesh – për të thënë diçka fare të thjeshtë: “Qeveria ime nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asgjë për ju.”

Edi Rama dha një lëmsh shifrash për arritjet makroekonomike të qeverisë së tij, duke mos kuptuar se nëse e marrim seriozisht mbi-dyfishimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto etj. – barra e përgjegjësisë mbi të është edhe më e madhe se pse në këtë lloj ekonomie nuk pikon asgjë për mbi 700,000 pensionistët shqiptarë.

Edhe më qesharak është krahasimi i rritjes dhe masës së këtij prodhimi me vendet e rajonit, pa krahasuar nivelin e pensioneve. Për shembull, ndonëse Kosova e ka PBB për frymë 540 dollarë më të ulët se Shqipëria e arritjeve galaktike, pensionin mesatar e ka 48 euro më të lartë se Shqipëria. Vazhdojmë më tutje. Bosnje-Hercegovina, me PBB për frymë 19% më të lartë se Shqipëria, e ka pensionin mesatar 89% më të lartë se Shqipëria. Maqedonia e Veriut, me PBB për frymë po 19% më të lartë se Shqipëria, e ka pensionin mesatar 125% më të lartë se Shqipëria. Serbia, me PBB për frymë 111% më të lartë se Shqipëria, e ka pensionin mesatar 144% më të lartë se Shqipëria. Mali i Zi, me PBB për frymë 123% më të lartë se Shqipëria, e ka pensionin mesatar 150% më të lartë se Shqipëria.

Këto shifra janë indikatorë të disa të vërtetave të mëdha strukturore të Shqipërisë nën sundimin e Edi Ramës. 1. Rritja ekonomike është në një përmasë të madhe fiktive (nominale, pasi nuk merr në konsideratë inflacionin dhe forcimin e lekut, si dhe e bazuar në aktivitete joproduktive si pastrimi i parasë dhe spekulimi). 2. Edhe aty ku ekziston realisht, rritja ekonomike përvetësohet nga oligarkia ekonomike dhe një pakicë e vogël të privilegjuarish. 3. Qeveria ka përparësi të tjera dhe nuk e çan kokën fare për pensionistët.

Kur vjen puna te përparësitë e qeverisjes, mbrëmë Rama luajti me ndjenjat e pensionistëve duke i vënë të zgjedhin midis vetes dhe nipërve/mbesave të tyre. “Paratë e taksave nuk janë për ju, por për fëmijët. Juve do t’ju rriten pensionet kur të ketë më shumë kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore.” – u tha. Përveçse skandaloze – sepse paratë e taksave duhet të jenë për të gjithë njerëzit në nevojë, dhe pensionistët e sotëm janë më nevojtarët, madje në kushte të emergjencës humanitare – Edi Rama u tregua edhe gënjeshtar. Në çdo vend të botës së sotme buxheti i shtetit mbulon një pjesë të kostos së pambuluar të skemës së sigurimeve shoqërore pasi me ndryshimet demografike dhe sheshimin e rritjes ekonomike, skemat PAYG kanë vështirësi ta mbajnë veten. Në teori, Shqipëria e mrekullive ekonomike të Edi Ramës do ta kishte më të thjeshtë për shkak të bumit ekonomik, por ja që e vërteta del në pah në fillim të çdo muaji.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related