Kryeministri Edi Rama, ish-presidenti Ilir Meta dhe kreu i PD Sali Berisha, të identifikuar ndryshe nga Lulzim Basha si “Trekëndëshi i Bermudës”, janë në ditët e kolapsit. Fundosja e tyre mesa duket po vjen nga ata që dikur i kanë konsideruar aleatë dhe bashkëpunëtorë. Vetë Ilir Meta, i njohur për manovrat e tij politike ndodhet në pozita shumë të rënda. Bashkëpunëtorët e tij të vjetër e kanë shfrytëzuar situatën për të mbrojtur vetveten, duke u zbrazur në SPAK për të gjitha aferat që kanë dijeni. Madje thuhet se vetë ish-gruaja e tij Monika Kryemadhi, me të cilën kaloi më shumë se 25 vite bashkëjetesë, dyshohet se e ka shitur në SPAK. Ky është një tregues se çfarë ndodh kur besimi shndërrohet në frikë dhe, për më tepër, kur njerëzit fillojnë të veprojnë në interes të tyre, duke zbuluar sekrete të errëta.
Akuzat e Metës ndaj Kryemadhit
Që Kryemadhi është shndërruar në bashkëpunëtore të SPAK, këtë e tregojnë vetë akuzat publike të Metës. Ish-presidenti gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka sulmuar vetëm Altin Dumanin pas arrestimit të tij, por ka etiketuar edhe Monika Kryemadhin duke e quajtur “dumdumane”. Madje në letrën e fundit të Metës, ai shfajësoi veten duke ia faturuar të gjitha shkeljet që gjeti SPAK Monika Kryemadhit. Përpara se të zbardhej përplasja e tyre në media, Meta akuzoi Kryemadhin në një mbledhje private me Partinë e Lirisë se ajo është peng i Dumanit. Meta po ashtu e akuzonte Kryemadhin se me veshjet e shtrenjta që ekspozojnë kanë ndjellë SPAK në zyrat e ish-LSI. Madje kur u thirr për herë të fundit në SPAK, Meta bëri deklaratën e fortë se kush e mbështet këtë institucion nuk meriton as fjalën ‘baxhellë’, duke shigjetuar me këtë term ish-bashkëshorten tij, e cila pas daljes nga Prokuroria e Posaçme tha se nuk ndan të njëjtin mendim me Metën lidhur me SPAK-un.
“Nëse dikush ka vlerësim për SPAK pas gjithë këtyre fakteve turpëron edhe fjalën baxhellë. SPAK është institucion kriminal, kundër kushtetutës, kundër pluralizmit politik, në vend që të ndaloj Ramën, Veliaj mban në presion dhe shantazh liderët e opozitës. Do japi llogari çdo prokuror i SPAK, çdo gjykatës i korruptuar që fle në dosje atje. Nuk ka McGonigal që i mbron prandaj është detyra jonë të fuqizojmë organizmin e opozitës PL-në duhet të ndihet kudo në gjithë Shqipërinë”, tha Meta. Gjithashtu ish-presidenti Meta shkoi deri aty sa përjashtoi nga partia Monika Kryemadhin dhe dy njerëzit e saj më të besuar, Braimllarin dhe Elona Gurin të cilët dalin në dosjen e SPAK. Ai i quajti dhe agjentë të SPAK. Pra goditjen më të madhe Ilir Meta e ka marrë nga Monika Kryemadhi.
“Peshku i Madh”
I rrezikuar në këtë mes nuk është vetëm Ilir Meta, pasi mesa duket Monika Kryemadhi do të shesë edhe Edi Ramën. Nga zbërthimi i një telefoni që kishte përdorur vite me parë deputetja Monika Kryemadhi u zbuluan qindra mesazhe të shkëmbyera mes saj dhe dhjetëra personave të tjerë, përfshirë dhe zyrtarë të lartë institucionesh, oligarkë si Samir Mane, por edhe vetë kryeministri Edi Rama. Dy ditë më parë, Kryemadhi tha se “Peshku i Madh” që ndodhet në telefonin e saj është Edi Rama.
Ajo pohoi deklaratën e Lefeter Kokës, i cili tha se SPAK duhet të gërmojë në telefonin e Kryemadhit për të gjetur kokën e inceneratorëve. Nga bisedat që kanë mundur të marrin nga ky aparat celular, SPAK ngriti një dosje të tërë për çiftin Meta-Kryemadhi, duke ngritur 3 akuza penale për të dy; korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Teksa shkonte në SPAK, Kryemadhi është shprehur se në telefoni i saj nuk ka pasur asgjë tjetër veç “dashuriçkave dhe thashethemeve” që ka bërë me vetë kryeministrin Edi Rama dhe ministrat socialistë.
