Bashkimi Evropian ka vendosur të rrisë tarifat për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë deri në 45.3%, një masë që vjen pas hetimeve për subvencionet e padrejta që ndihmojnë konkurrentët kinezë. Tarifat, që variojnë nga 7.8% për markën amerikane Tesla deri në 35.3% për firmën kineze SAIC, do të hyjnë në fuqi të mërkurën.
Komisioni Evropian ka theksuar se këto tarifa janë të nevojshme për të mbrojtur tregun evropian nga subvencionet e padrejta, të cilat përfshijnë financimin preferencial dhe lëndët e para të vlerësuara nën çmimin e tregut. BE-ja ka alarmuar se kapaciteti shtesë prej 3 milionë automjetesh elektrike kineze në vit përbën një kërcënim të madh për industrinë evropiane. Dhoma e Tregtisë e Kinës në BE ka reaguar ndaj masave, duke i cilësuar ato si “proteksioniste” dhe ka shprehur zhgënjim për mungesën e përparimit në negociatat për të gjetur një zgjidhje alternative.
Në përgjigje, Pekini ka nisur hetime për importet nga BE-ja të disa produkteve, duke treguar shenja të hakmarrjes. Sipas vlerësimeve, automjetet elektrike kineze përbëjnë 8% të tregut evropian, një rritje e dukshme nga 1% në vitin 2019, dhe pritet të arrijnë në 15% deri në vitin 2025.Komisioni vlerëson se çmimet e këtyre automjeteve janë zakonisht 20% më të ulëta se ato evropiane.
Qëndrimi i BE-së ndaj Kinës është ngurtësuar në vitet e fundit, me anëtarët e bllokut që kanë mendime të ndryshme për tarifat, sidomos Gjermania, e cila është shprehur kundër. Votimi i fundit tregoi ndarje mes vendeve anëtare, me 10 që mbështetën tarifat, pesë që votuan kundër dhe 12 që abstenuan.
