Ashtu siç ishte paralajmëruar, sot, Partia Demokratike organizon një protestë masive kundër qeverisë në orën 17:00, duke bllokuar rrugët kryesore, një ngjarje kjo që pritet të sjellë tensione të reja në Shqipëri. Kreu i PD-së, Sali Berisha, i shpallur “non-grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe ka bërë thirrje për mobilizim të gjerë, duke kërkuar që militantët të paralizojnë vendin në një përpjekje për të sfiduar autoritetin e qeverisë. Ai e ka përshkruar këtë protestë si një hap të domosdoshëm për të rimarrë kontrollin mbi fatet e vendit, duke nxitur shqetësime për mundësinë e dhunës dhe trazirave. Në përgjigje, policia ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të bllokuar rrugët do të çojë në ndjekje penale, duke theksuar se siguria e qytetarëve është prioritet.
Në këtë kontekst, nyjet kryesore në autostradat e vendit do të jenë nën kontrollin e militantëve të Partisë Demorkatike, me orare të përcaktuara për bllokim, duke e kthyer protestën në një provokim të hapur ndaj qeverisë dhe autoriteteve. Tensionet do të jenë të pranishme në çdo cep, ndërsa qytetarët dhe bizneset janë të shqetësuar për pasojat që mund të sjellë ky mobilizim. Megjithatë, protesta e sotme është një test për stabilitetin e vendit, dhe të gjithë sytë janë të kthyer nga rrugët, ku situata mund të eskalojë në çdo moment.
PD njofton policinë
Policia e Tiranës është njoftuar nga Partia Demokratike për tubimin që do të mbahet sot në orën 17:00 me bllokimin e disa akseve kyçe. Në kryeqytet protestuesit do të bllokojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës. Policia është njoftuar për 3 orë, por nuk dihet se sa do të vijoj qëndrimi i tyre. Në njoftimin e policisë nuk ka ndonjë skenar tjetër nëse do të qëndrojnë vetëm aty, apo do të lëvizin në pika të tjera. Sot është aksioni dytë i mosbindjes civile, duke bllokuar disa nga nyjet më kryesore në autostradat e vendit si revoltë për arrestimin e Ilir Metës dhe deputetin Ervin Salianji. Bllokimi do të nisë prej orës 17.00 të pasdites së djeshme. “Ditën e martë, më datë 29 Tetor 2024, në ora 17:00 mosbindja civile zbret në akset kryesore të Shqipërisë dhe më poshtë janë të gjitha vendet ku do të ketë grumbullim të qytetarëve dhe militantëve opozitarë:
Segmenti Casa Italia – Sheshi “Shqiponja”
Rrethrrotullimi Milot
Rrethrrotullimi Shkozet
Rrethrrotullimi Bradashesh
Rrethrrotullimi Rrogozhinë
Rrethrrotullimi Levan
Reagon Policia
Por lidhur me këtë, Polica e Shtetit i është drejtuar me një shkresë PD-së, ku i ka refuzuar kërkesën për bllokimin e rrugëve dhe i ka bërë apel asaj që të tërhiqet nga kjo veprimtari. “Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftim. Në shkresën e saj, policia shprehet se ajo garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve. Më tej, Policia e Shtetit paralajmëron PD-në dhe pjesëmarrësit se bllokimi i rrugëve është shkelje dhe se ato që do të tentojnë një gjë të tillë do të përballen me pasojat. “Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njoftoi dje policia.
