Në seancën për inceneratorin e Fierit që është hapur në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, trupa gjyqësorë ka vendosur të përsërisë shqyrtimin gjyqësor në Apel. Apeli i GJKKO vendosi dje të pranojë kërkesën e SPAK, për përsëritjen edhe njëherë të shqyrtimit gjyqësor në lidhje me të pandehurit e akuzuar për inceneratorin e Fierit. Vendimi u dha pas kërkesës së prokurorëve të SPAK dhe në prag të dëgjimit të mbrojtjes të të akuzuarve. Në seancën në Apelin e GJKKO, e cila zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, prokurorët kërkuan prishjen e vendimit të shkallës së parë, në lidhje me pafajësitë që janë dhënë për Arben Dervishajn, Juri Imeraj dhe Arjola Kodra, si edhe për Alqi Ballkon, i cili u shpall i pafajshëm për shpërdorim detyre.
Kërkesa e SPAK u kundërshtua nga avokatët, por nuk u mor parasysh nga Apeli i GJKKO. Në seancën e ardhshme në Apelin e Posaçëm do të pyeten disa dëshmitarë dhe e pandehura Arjola Kodra. Seanca do të mbahet më 7 nëntor në Apelin e GJKKO.
Detajet
Kujtojmë se në shtator të vitit të kaluar Gjykata e Posaçme dha vendimin për inceneratorin e Fierit. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u dënua me 10 vite burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 6 vite e 8 muaj.
Ai akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash gjatë kontraktimit dhe ndërtimit të inceneratorit të Fierit. Për ish-sekretarin e Përgjithshëm të tij në Ministrinë e Mjedisit, njëkohësisht ish-deputeti i PS, Alqi Bllako, gjykata dha një dënim me 4 vite burg, 3 vjet më pak se dënimi i kërkuar nga SPAK. Për të gjykata rikualifikoi akuzën, duke i hequr bashkëpunimin nga “shpërdorimit të detyrës”.
Masat e sigurisë
1. Lefter Koka: 10 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 6 vite e 8 muaj
2. Alqi Bllako: 4 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite e 8 muaj
3. Klodian Zoto: 12 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 8 vite
4. Arben Dervishaj shpallet i pafajshëm
5. Arjola Kodra shpallet e pafajshme
6. Pëllumb Abeshi: 3 vite e 6 muaj burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite e 4 muaj
7. Florian Muçaj: 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite
8. Azem Shatëri: 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite
9. Erjon Murataj: 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite
10. Sabina Cenameri: 3 vite burg (pezullim dënimi, për shkak se ka një fëmijë të mitur)
11. Loran Dusha: 7 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 4 vite e 8 muaj
12. Arbër Denizi: 7 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 4 vite e 8 muaj
13. Juri Imeraj shpallet i pafajshëm
14. Regan Merdani: 3 vite burg (pezullim dënimi)
15. Gentian Zifla: 3 vite burg (pezullim dënimi)
