Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar në laborator për ekspertim kasetën e dorëzuar pak javë më parë, e cila sipas familjareve të Aleks Nikës, një nga katër të vrarët në bulevard, tregon se vrasjet janë krim shtetëror dhe janë kryer me urdhër. Në materialin audio dëgjohet Ndrea Prendi, komandanti i atëhershëm i gardës, që jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër. Audio regjistrimi që flitet se është 34 minuta është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës, i cili ka regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna në momentet kur u vranë 4 protestuesit e paarmatosur para kryeministrisë të drejtuar nga Sali Berisha në atë kohë.
Regjistrimi i këtij komunikimi të brendshëm është bërë me një diktofon dhe pas 13 vitesh nga protesta e 21 janarit 2011, kaseta origjinale u dorëzua në SPAK. Kaseta është duke u ekspertuar fillimisht në laboratorin e SPAK, i cili do të përcaktojë edhe autenticitetin e saj, dhe më pas do të bëhet krahasimi i zërave që janë në audio për të përcaktuar edhe shkencërisht, se kujt i përkasin. Nëse ky ekspertim nuk mund të kryhet nga SPAK, do të kërkohet edhe ndihma e laboratorëve të tjerë të fuqishëm jashtë vendit. Regjistrimi i komunikimeve konsiderohet një provë e re për procesin, ndërsa ende nuk është mësuar se kush ka qenë personi që ka regjistruar urdhrat në këtë kanal sekret, që përdorej nga një rreth i ngushtë personash.
Reagon avokati i familjarëve të viktimave të “21 Janarit”
Lidhur me këtë zhvillim, gazeta ka pyetur avokatin e familjarëve të viktimave të 21 Janarit, Idajet Beqiri, i cili paralajmëron se kjo provë pritet të fundosë ish-kryeministrin Sali Berisha. “Është një provë e fuqishme, që vërteton provën e 100 dhe i vë vulën 99 prova të tjera në aspektin e urdhërdhënësve, se e nxjerr pastër që urdhri është dhënë nga kryeministri i kohës. Në atë audio përgjim e cila është një provë shumë e rëndësishme pasi është marrë nga një kanal i radios dhe ajo i vë vulën edhe pse u përpoq me çdo kusht Berisha”, tha avokati. Nga ana tjetër, Z.Beqiri tregon se ka dëshmitarë të tjerë në këtë çështje që janë gati të paraqiten në SPAK.
“U vranë 4 protestues, por dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Ata u tentuan të vriteshin si gazetari Mahmutaj e të tjerë me radhë. Të plagosurit janë mjekuar ilegalisht atë ditë. Po të shkonin në polici do të vriteshin. Pardje më ka ardhur një provë tjetër nga një mjek. Ky doktor më thotë se ka mjekuar shumë persona që ishin të plagosur në mënyrë ilegale sepse, policia do i fuste në burg ose dhe mund t’i eliminonte. Ai ka prova për ta, i ka mbajtur shënim të gjitha rastet. Është gati të shkojë dhe të dëshmojë në SPAK, pasi po krijohet tashmë klima e duhur për t’i nxjerrë të gjitha të vërtetat e asaj ngjarjeje”, tha avokati.
Si SPAK po thellon hetimet?
Pak ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme, u pyet ish drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe një ditë më pas dëshmoi edhe zëvendësi i tij Agron Kuliçaj. Të dy janë akuzuar për skandalin e zbatimit të urdhrave të arrestit të prokurorisë 18 ditë me vonesë, për Ndrea Prendin dhe 5 gardistët e tjerë, që dëmtoi rëndë hetimin. Në listën e personave që pritet të dëshmojnë në Strukturën e Posaçme për 21 janarin përfshihen edhe drejtuesit me të lartë të shtetit si ish presidenti Bamir Topi si dhe ish prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. SPAK nisi hetimet për protestën e përgjakshme të 21 janarit 2011 në bulevard pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit, zyrtarë nën juridiksionin e SPAK. Strasburgu e quajti krim shtetëror që duhej zbardhur: kush dhe si u dha urdhri për vrasjet shtetërore të “21 Janarit”.
