Plani i Kievit për fitoren e luftën, i prezantuar këtë muaj nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ka marrë tashmë vlerësime nga partnerët perëndimorë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakaletes njofton nga Kievi se çfarë mendojnë ekspertët dhe banorët e Ukrainës lidhur me planin e fitores.
Plani i Fitores i Presidentit Zelenskyy përbëhet, mes të tjerash, nga pesë pika.
“Nëse fillojmë zbatimin e këtij plani specifik për fitoren, deri vitin e ardhshëm mund t’i japim fund luftës”, thotë Presidenti Zelenskyy.
Plani kërkon ftesën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe vendosjen e një pranie të mjaftueshme ushtarake jo-bërthamore në territorin e saj për siguruar përmbajtjen e Rusisë. Reagimi i partnerëve perëndimor është i paqartë. Qëndrimet e ukrainasve po ashtu. Natalia është banore e Kievit.
“Plani është real por nuk varet nga Ukraina”.
Oleg, një tjetër banor i Kievit, mendon ndryshe.
“Kam bindjen e plotë se gjithçka do të vendoset në fushën e betejës. Miku më i mirë i Ukrainës janë forcat tona të armatosura”.
“Do të kemi mbështetje. Shpresojmë për më të mirën, por ndoshta do të duhet të luftojmë për veten tonë”, thotë Oksana, banore e Kievit.
Analisti i shkencave politike, Mykola Davydiuk, thotë se plani përmban shumë pika jorealiste për partnerët perëndimorë.
“Po të kishim katër pika realiste dhe një jo të tillë, mund të bëhej një përjashtim. Përgjigja është se plani është i shkëputur nga realiteti”.
Analisti thotë se ukrainasit janë të fundit që njihen me planin, pas të gjithë partnerëve të huaj të Kievit. Disa pika nuk u janë shpjeguar atyre, siç është një marrëveshje me aleatët për të ndihmuar në mbrojtjen e burimeve kritike të vendit si dhe investimi dhe shfrytëzimi i përbashkët të këtyre burimeve.
