Ndoshta shumë pak persona në Tiranë e dinë që nëse merrni një gjobë nga policia bashkiake, nëse taksoheni apo tarifoheni padrejtësisht, nëse penalizoheni dhe mendoni se po ju bëhet një padrejtësi, ekziston një organ tek i cili mund të ankoheni, dhe nëse pretendimi juaj është i drejtë, penalitetet financiare ndaj jush, mund të revokohen.
Institucioni në fjalë quhet Komisioni i Apelimit Administrativ të Taksave dhe Tarifave Vendore dhe është ngritur pas vendimit të Këshillit Bashkiak me nr 158 të 21 Dhjetorit 2018. Nisur nga emri, kuptohet që është një lloj gjykate apeli ku personat që nuk janë dakord me vendimet e strukturave të Bashkisë së kryeqytetit, mund t’i drejtohen me shpresën se kur çështja të shqyrtohet, të gjejnë drejtësi.
Por lind pyetja, sa funksional është ky komision kaq i rëndësishëm për xhepat dhe dinjitetin e qytetarëve? Për këtë, në Dhjetor të vitit 2023, pra 10 muaj më parë, iu drejtuam me një shkresë zyrtare, Bashkisë së Tiranës ku kërkuam informacion në lidhje me aktivitetin e Komisionit, kush ishin anëtarët e tij të cilët caktohen me urdhër të Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, masat administrative të vendosura prej tij dhe mbi vendimarrjet e marra brenda kuadrit ligjor që ky komision ka.
Por siç ndodh shpesh me Bashkinë hermetike të Tiranës, nuk morëm asnjë përgjigje, pavarësisht se kërkesën e përsëritëm dy herë radhazi. Të gjendur në këto kushte, bëmë një kërkesë të tretë për informacion, më 1 Mars të vitit 2024. Sërish me të njëjtat pyetje, por sërish, nuk funksionoi. Bashkia vazhdoi të heshtë.
Pas disa shkresave dhe indeferentizmit të Bashkisë së Tiranës, iu drejtuam me një shkresë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, dhe ky i fundit i kërkoi Bashkisë që në bazë të ligjit, të na kthente përgjigje duke i lënë afat 7 ditë. Por dhe pas vendimit të Komisionerit që garanton zbatimin e të drejtës për informim nga autoritetet publike, nuk morëm asnjë përgjigje!
