Për të pleqëruar me dinjitet nesër, ne sot punojmë. Punojmë e paguajmë taksa, tatime, tarifa, komisione, interesa, kamata… dhe pasi të jemi rropatur një jetë të tërë, para se të arrijmë të vdekja, na është premtuar një e drejtë. Pensioni! Por në Shqipëri, të ardhurat që pensionistët marrin në fund të muajit janë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat minimale të jetesës. Qeveria “Rama” gjithë këtë kohë paralajmëroi se rritja këtë vit do të ishte e madhe. Gjithçka rezultoi në fund një mashtrim, pasi të moshuarit edhe këtë herë përfituan një lëmoshë prej 700 lekësh. I gjendur përballë presionit nga kjo kategori, Rama është përpjekur të justifikohet se fajtorë në këtë mes janë biznesmenët. Kryeministri gjatë takimeve të fundit tha se ata që nuk paguajnë sigurimet shoqërore po vjedhin pensionistët.
Dje ai shkoi më tej duke paralajmëruar takimin e tretë që u zhvillua me sipërmarrjet se përtej gjobave apo arrestimeve, do shkohet deri në mbyllje biznesi nëse nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve. “Nuk do pranojmë më deklarime pagash që nuk i besojmë. Ndërtuesit që do të deklarojnë 60 mijë mijë lekë pagë që nuk ekziston, duhet të kuptojnë që nuk do i pranohet, do u kthehet pas deklarimi. Do u thuhet keni bërë gabim. Nëse nuk reflektojnë do të përballen si hajdutët e energjisë. Situata që do të shkojnë deri në kolaps të kompanisë. Më besoni, për çfarë? Për të mos paguar haraçin pensionistëve edhe pse e kanë përfituar nga puna. Merreni seriozisht. Po shikojmë që ta bëjmë si vendet nordike, që ti bëjmë publike pagat me ligj që të gjithë ta shohim kush paguan çfarë, por kjo është arma e fundit, tjetra është hyrja më e thellë në inspektime. Nuk janë kërcënime as presione por informacion transparent që kemi ndërmend të bëjmë”, tha Rama.
Ironitë
Një mesazh Rama kishte dhe për sipërmarrësit që besojnë në Zot. “Kam respekt për sipërmarrësit që i falen Allahut 5 herë në ditë por di që nuk i paguajnë sigurimet shoqërore ashtu siç i duhet se dhe ata do ta kenë parasysh këtë moment kur shkojnë atje. Se ka xhenet por dhe xhenem. Qoftë dhe për të mos marrë mallikimin e pensionistëve. Ata q i takojnë pensionistëve nuk duhet të diskutohen” tha Rama. Hetimi i thelluar ndaj subjekteve që ka dyshime se fshehin pagat reale të punonjësve, ka ngritur në këmbë edhe ‘Krimin Ekonomik’, i cili nga dje ka zbritur në terren për inspektime. “Vjedhja e sigurimeve është akt i pastër vjedhje dhe si i tillë do të trajtohet për këtë të jeni të sigurt, pasi është krim ekonomik. Do intensifikojmë kontrollet për të goditur abuzimet me pagat, do të ketë hetime të thelluara për të ndëshkuar ato grupe që abuzojnë”, tha ministri Ervin Hoxha.
Pensionistët protestojnë para qeverisë
Pensionistët e treguan vetë dje gjendjen ku i ka katandisur Rama. Me dhjetra pensionistë u mblodhën përpara Kryeministrisë ku protestuan duke kërkuar rritjen e pensioneve. Një i moshuar u shpreh se kërkon rritjen e pensionit në 400 mijë lekë të vjetra në muaj ndërsa theksoi se nuk duhet të ketë pension nën këtë shifër. Pensionistët kanë treguar se nuk e përballojnë dot jetën me pensionet që marrin, duke thënë se kanë punuar gjithë jetën për të ndërtuar vendin dhe sot marrin një pension që nuk iu del as për ilaçe. “Nëse fëmijët tanë nuk do të na ndihmonin, këtu do të ishte derdhur gjaku në gju, aq keq është situata me pensionet”, tha një nga pensionistët që ishte në protestë. Një tjetër tha se e shikon situatën shumë keq për aq kohë sa nuk blen dot një akullore për nipërit dhe mbesat. “Vjen nipi me mbesën, gjyshi nuk u jep dot një akullore. Këtu është bërë ku thërret qameti.
