Vazhdon afera me rrugën Korçë-Ersekë, dosje e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Ishte inxhinieri Romeo Nazarko që kallëzoi 3 vite me pare ministren Belinda Balluku, drejtorin e ARRSH dhe kompaninë që ndërtonte rrugën Korçë-Ersekë, e shembur 7 muaj më parë. SPAK po heton Ballukun për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tender.
Por edhe pse kjo aferë po hetohet nga prokuroria speciale abuzimet nuk ndalen. Sipas Faktoje, shtatë muaj pas shembjes së rrugës Korçë-Ersekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ndryshoi kontratën duke i shtuar 4,3 milionë euro të tjera projektit. Kryeministri Edi Rama pretendon se riparimi i rrugës u bë me shpenzimet e kompanisë, ndërkohë që ekspertët përmes dokumenteve zyrtare, argumentojnë të kundërtën
Skandali
Pasditen e 18 shkurtit, rruga e re Korçë-Ersekë u shemb. Teksa kolonjarët prisnin përurimin e saj, rruga u nda në mes në vendin e quajtur Qafa e Qarrit, duke e bërë aksin të pakalueshëm. Qeveria e kaloi në heshtje shembjen masive të rrugës që prodhoi reagime nga komuniteti si dhe akuza nga opozita. Deri në muajin qershor, Autoriteti Rrugor Shqiptar në varësi të Ballukut refuzonte të bënte të ditur shkakun e shembjes së rrugës.
Pas një sërë komunikimesh përmes koordinatorit për të drejtën e informimit, ARRSH këmbëngulte se ishte në proces vlerësimi mbi riparimin e defektit, ndaj nuk mund të ndante përgjigje shteruese. Faji mbetej jetim. Përcaktimi i shkakut të shembjes do të ndante ‘shapin nga sheqeri’, pasi gjetja e ‘fajtorit’ lidhej direkt me faturën e dëmit.
Kush do të paguante për riparimin e rrugës- firma apo qytetarët?
U deshën shtatë muaj që qeveria të fliste për rrugën. Të dielën e 13 tetorit, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet e tij sociale një video të rrugës së përfunduar. “U vunë shumë kuje e u hodh shumë baltë për një rrëshqitje të rrugës gjatë punimeve, e cila u rindërtua me shpenzimet e bëra tërësisht nga firma. Qesh mirë kush qesh i fundit”, shkruante kryeministri.
Fakt
Një muaj më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ndryshoi kontratën me A.N.K -kompaninë ndërtuese të rrugës Korçë-Ersekë duke i dhënë 4,3 milionë euro të tjera pa TVSH. Me këtë shtesë, ndërtimi i lotit të dytë të rrugës arrin vlerën e 26 milionë eurove pa llogaritur 20% e tatimit mbi vlerën e shtuar. Autoriteti Rrugor rendit katër arsye që diktuan ndryshimin e kontratës për herë të dytë brenda vitit. “Rishikim i projektit të urës mbi përroin e Selenicës. Rishikim i projektit në lidhje me përmirësimin e tabanit të rrugës.
