Boshti Tiranë-Beograd-Moskë që tentoi të krijonte presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mesa duket nuk do të funksionojë për momentin, pasi kryeministri Edi Rama ia “drodhi” liderit turk duke konsideruar hapur se aleati më i rëndësishëm për Shqipërinë është Evropa. Rama është pyetur se sa mundësi ka që edhe Shqipëria t’i bashkohet BRICS një ditë, dhe përgjigja e tij ka qenë e prerë, madje duke e quajtur tregun e përbashkët të shteteve që konsiderohen si “anti-perëndim”, si një “shaka”. Së pari, BRICS është një shaka. Së dyti, historia na ka mësuar në rrugën e vështirë se ka vetëm një vend ku mund të mbështetemi. Kjo është Europa, Bashkimi Evropian.
Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Procesi i integrimit është një udhëtim i rëndësishëm me një qëllim të madh. Nuk ka alternativë për këtë rrugë. Nuk ka tundim për të kërkuar diku tjetër sepse ne kemi qenë diku tjetër dhe e dimë se si është atje”, tha Rama. Si në Tiranë, por edhe Beograd pati aludime se vizita e Erdoganit në një kohë kur destinacioni i tij është në Moskë për Samitin e BRICS, ishte si një ftesë për liderët që të bashkoheshin në këtë grup. Turqia është shteti i parë i NATO-s që kërkon anëtarësimin në grupin joperëndimor BRICS. Vizitat e Erdogan në Shqipëri e Serbi erdhën pas takimeve që presidenti turk zhvilloi në SHBA para disa ditësh me Vuçiçin dhe Ramën.
Këta dy të fundit madje dyshohet se kanë zhvilluar dhe një takim privat në hotelin ku qëndroi kryeministri shqiptar në Neë York. Edhe ekspertët ngritën alarmin nga intenerari i Erdogan. Kreshnik Osmani, ekspert i gjeopolitikës tha se Erdogan kishte për qëllim të përcillte mesazhe politike dhe fetare në Tiranë për lojtarët kryesorë në skenën ndërkombëtare, përfshirë Amerikën, Izraelin, Athinën dhe Rusinë. ““Mesazhet që përcolli Erdogan ishin të shumta. Fillimisht erdhi për të përcjellë mesazhe politike dhe fetare. Mesazhet politike ishin për Amerikë, Izraelin, Athinën, Rusinë, gjithë lojtarët.
Jemi në një moment gjeo-politik shumë të rëndësishëm ku po kalon planeti, ku po ndryshohen ekuilibrat gjeo-strategjik në Lindjen e Mesme. Mesa duket, zoti Erdogan, po të kuptosh intenerarin e tij, do shohësh që është Tiranë, Beograd, Moskë. Unë mendoj që vetëm kur të përfundojë takimin e tij në Moskë, do kuptojmë se çfarë domethënie kishte vizita e tij në Beograd. Ndalesa në Shqipëri, fijet në Beograd dhe ndalesa në Moskë. Mesazhet ishin të shumta”, tha ai ndër të tjera.
