Spiropali: Studentët e drejtësisë, e nesërmja e luftës kundër pandëshkueshmërisë

Data

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përshëndeti dje në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në University of New York Tirana. Të pranishëm në aktivitet ishin ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay, presidenti i Fondacionit Turk MAARIF, Birol Akgün, drejtori i përgjithshëm i Fondacionit MAARIF në Shqipëri, Mesut Özbaysar, ambasadori i Katarit, etj. Në fjalën e saj, Spiropali, nënvizoi se, rruga e suksesit të studentit kalon nga sakrifica, teksa paradhoma është biblioteka. Çdo ditë është dita e duhur për të ardhur në universitet. Si student apo pedagog, si prind, qytetar apo si politikan.

Si njeri që rend drejt dijes apo si dikush tjetër që di mirë se jeta është një shkollë e paprerë, e cila kur kalon edhe në aulat e universitetit, fiton një shans më shumë për t’u jetuar dhe për të krijuar shanse për të jetuar më mirë”, deklaroi ajo. Spiropali theksoi se, studentët e drejtësisë janë e nesërmja e sistemit të rilindur dhe pjesë e luftës kundër pandëshkueshmërisë. “Jurisprudenca, një nga degët kryesore të universitetit tuaj është thirrur shumë shpesh në apel gjatë kësaj dekadës së fundit. Në kuptim të fundit, prej jush do të shihet e nesërmja e sistemit të rilindur të drejtësisë. Shoqëria pret që ju të jeni pjesë e luftës së bllokut të së mirës kundër pandëshkueshmërisë.

Pret që ju të garantoni nesër drejtësi për të gjithë njësoj, çka mund të nisni ta bëni që sot. Duke u treguar më së pari të ndershëm me veten”, tha Spiropali. Të njëjtën gjë, shtoi Kryeparlamentarja, “do të thosha edhe për ekonomistët e nesërm, të cilët janë bashkëstudentët tuaj të sotëm. Kërkoni dhe gjeni ide e zgjidhje për probleme të ekonomisë shqiptare, por dhe të ekonomisë private. Debatoni për mënyrat e sjelljes sonë me burimet e zhvillimit dhe faktorët e prodhimit, gjykoni sesi mund t’i bëjmë kompanitë e fermat shqiptare më produktive e më konkurruese në rajon e më tej, si ta “përkthejmë” rritjen ekonomike në mirëqenie e cilësi të lartë jetese”. Spiropali gjithashtu bëri të ditur se, Kuvendi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 27 universitete publike dhe jo publike.

“Para disa vitesh, Kuvendi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 27 universitete publike dhe jo publike. Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është institucionalizimi i përgjegjësive tona të përbashkëta për formimin dhe edukimin e studentëve e profesionistëve të rinj të Shqipërisë. Shpreh mirënjohjen e Kuvendit për kontributin e universiteteve, pedagogëve dhe ekspertëve të cilët kanë ndihmuar Kuvendin në konsultat e komisioneve parlamentare dhe dëgjesat publike për hartimin e akteve ligjore gjatë viteve të fundit”, tha Spiropali.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related