Qeveria konfirmon hetimet nga SPAK për aferën në Portin e Vlorës, dyshime për falsifikim dokumentesh, ja detajet nga…

Data

Konfirmohet zyrtarisht se Prokuroria e Posaçme po heton aferat që fshihen nga privilegjet që iu jep kryeministri Edi Rama oligarkëve, veçanërisht Samir Manes. Në artikullin e kaluar publikuam se kush fshihet pas pallateve private në tokën shtetërore në Portin e Vlorës që fali Edi Rama me 1 euro dhe manovrat dhe kamuflimet të veshura me mister të Samir Manes në këtë projekt. Sot nga investigimi i Laboratorit të Raportimit Investigativ (IRL) dhe gazetarët e SHTEG do të tregojmë dyshimet për falsifikimin e dokumenteve që po heton SPAK dhe pranimin nga qeveria se Porti i Vlorës po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

Pjesë nga investigimi nga gazetarët e “IRL-së” dhe “SHTEG.org”

Grupi i gazetarëve nga Tirana dhe Shkupi zotëron dokumentacionin e tenderit për Portin e Vlorës, i cili tregon detajet e kompanive që aplikuan për koncesionin e portit shtetëror në Vlorë përmes një partneriteti publik-privat. Ai përfshin gjithashtu informacione për kompanitë që fituan dhe ato që u skualifikuan nga tenderi. Sipas Endrit Shabanit nga partia politike “Thurje”, i cili ka denoncuar këtë proces, ekziston mundësia që dy prej kompanive të kenë marrë pjesë në tender thjesht si “ekstra” për të krijuar iluzionin e konkurrencës. Kualifikimet , apo mungesa e kualifikimeve të dy kompanive – sugjerojnë se ka pasur parregullsi në dhënien nga qeveria Rama të të drejtave të tokës dhe të projektit në tërësi.

Prania e dy “ekstrave” sugjeron mundësinë që fituesi të ishte paracaktuar edhe para shpalljes së tenderit, dhe se “ekstrat” nuk ishin pretendentë realë për projektin. Është gjithashtu e paqartë pse një firmë britanike, e vetmja me përvojë në projektimin e marinave elitare që ishte kusht i tenderit u tërhoq nga ajo që dukej të ishte një sipërmarrje potencialisht fitimprurëse menjëherë pasi bashkimi i shoqërive nënshkroi kontratën me shtetin në 2021-shin. Për më tepër, fituesit e tenderit morën më vonë tokë shtesë ngjitur me portin për ndërtimin e ndërtesave rezidenciale dhe tregtare, një detaj i papërmendur në tenderin fillestar. Madje iu dha edhe statusi i veçantë, i njohur si investitor strategjik, i cili u jep të drejta për tokën publike. Ata formuan gjithashtu një konsorciumi për realizimin e projektit, por më vonë disa prej tyre u tërhoqën duke krijuar kushtet për përfshirjen e “Grupit Balfin”. Një kallëzim që hedh dritë mbi këto parregullsi të mundshme është depozituar nga “Thurje”, pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit në Tiranë (SPAK).

Tender i dyshimtë dhe tërheqje kompanish

Historia e projektit të Vlorës mund të gjurmohet në dhjetor 2020, kur një bashkim shoqërish e përbërë nga kompanitë shqiptare “Marina di Valona”, “Brunes” dhe “Ndregjoni”, dhe kompania britanike “Marina Projects Ltd.”, përgatitën një plan biznesi që ishte studim fizibiliteti. Synimi i tyre ishte sigurimi i koncesionit për portin e Vlorës, shndërrimi i tij në marinë turistike dhe ndërtimi i strukturave përreth. Plani i biznesit i parë nga gazetarët e IRL-së dhe SHTEG.org, tregon se sipërmarrja e përbashkët planifikonte: – Sigurimin e koncesionit të portit tregtar dhe shndërrimin e tij në një marinë turistike moderne; – Zhvillimin e hapësirës publike përreth dhe lidhjen e saj me kalatën e Lungomares, zona kryesore e rekreacionit për këmbësorët në Vlorë; – Zhvillimin e një zone tregtare rezidenciale pranë marinës. Por në kohën kur u hartua plani, nuk kishte shpallje publike për konkurs për të fituar ndonjë tender për zhvillimin e zonës. Vetëm një muaj më vonë, në fillim të vitit 2021, qeveria e Edi Ramës nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli tenderin për dhënien e koncesionit për portin duke përdorur modelin e partneritetit publik-privat (PPP).

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related