Erdogan fut në sherr Ramën me Izraelin, si “Sulltani” dekonspiroi aleancën me kryeministrin shqiptar kundër Tel-Avivit

Data

Presidenti turk, Rexhep Erdogan vetëm provokoi nga inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë. Edhe pse duhej të ishte një ceremoni fetare, presidenti turk sulmoi Izraelin, madje edhe në mes të xhamisë, duke deklaruar se po bën gjenocid në Palestinë. Por deklaratat dhe qëndrimet e “Sulltanit” mund t’i kushtojnë shtrenjtë Edi Ramës. Lideri turk mund t’i hapë probleme kryeministrit shqiptar me Izraelin. Biseda që zhvilloi Erdogan “kokë më kokë” me Edi Ramën dekonspiroi dhe nxori zbuluar qëndrimin e kryeministrit kundër Telavivit. Këtë e tregoi vetë lideri turk duke thënë në konferencën e përbashkët në krah të Ramës se kanë diskutuar me kryeministrin se Izraeli po kryen gjenocid dhe ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë duke i bërë presion Netanjahut të ndalet. Ishte i qartë dhe në qëndrimin publik që i dha Edi Ramës duke i kërkuar që në këtë luftë, Shqipëria duhet të bëjë pjesën e saj në fushën diplomatike në këtë drejtim.

“Me zotin kryeministër shkëmbyem edhe ide për çështje globale dhe rajonale. Ne ndjekim me admirim përpjekjet e Shqipërisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit si në rajonin tonë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Mizoritë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza dhe Liban ishin ndër pikat prioritare të agjendës së takimit tonë. Unë ndava pikëpamjet tona për agresionet e qeverisë Netanyahu të cilat shkojnë përtej fushëveprimit rajonal dhe tani janë bërë një kërcënim për rendin global. Gjenocidi që po vazhdon prej 1 viti në Gaza është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Për këtë arsye ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për të siguruar një armëpushim të përhershëm, për të ofruar ndihma humanitare dhe për të bërë presionin e nevojshëm mbi Izraelin. Unë sinqerisht besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim”, tha ai.

Qëndrimi

Kryeministri Rama nga ana tjetër deklaroi se ai dhe Erdogan ndajnë të njëjtin qëndrim për faktin se populli palestinez ka të drejtën të jetojë i lirë, duke pranuar se duhet të krijohet shteti i Palestinës. “Sot përveç konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë që po godet në mënyrë të pamëshirshme dhe krejtësisht të padrejtë një popull që është në të drejtën e vetë për të jetuar i lirë dhe për ta zgjedhur vetë se ku do të pozicionohet, edhe ajo që ndodh çdo ditë në Gaza është një tragjedi kolosale. Ne bashkë ndajmë me Presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe lidhur me të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij, por Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore e që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre”, u shpreh kryeministri Rama. Kujtojmë se edhe në ceremoninë e hapjes së xhamisë së Namazgjasë, Erdogan u ndal tek lufta Izrael – Palestinë.

“Sulltani” kujtoi vuajtjet e popullit mysliman dhe islam në botë, kryesisht në Palestinë dhe Izrael, duke akuzuar Izraelin për gjenocid. Ai përmendi 50 mijë të vrarët dhe 100 mijë të plagosurit palestinezë në Gaza dhe luftën e re në Liban, duke theksuar se “Izraeli dhe Netanyahu nuk kanë ndërmend të tërhiqen” apo për të synuar paqen. “Sulmet e Izraelit vazhdojnë ndaj grave, fëmijëve, të moshuarve, minorenëve dhe tani Izraeli e ka çuar politiken e tij agresive sulmuese barbare, në drejtim të Libanit. Është një detyrim i moralit, i ndërgjegjes tonë njerëzore për të gjithë ata që ndjejnë, kanë zemra, që të qëndrojnë kundër terrorizmit shtetëror të Izraelit në Palestinë. Netanyahu dhe Izraeli s’ka ndër mend të vendosë paqen në rajon dhe së fundmi e tregoi qartazi me sulmin ndaj Libanit”, tha Erdogan.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related