Një tjetër pronë e konfiskuar, e një të dënuari nga drejtësia, shndërruar në ndërmarrje sociale. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha së bashku me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe kryeadministratoren e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja, panë dje nga afër sipërmarrjen “Tradita ime Artizanale” në Elbasan. Në fokus të kësaj sipërmarrjeje është gjithashtu mbështetja e grave dhe vajzave në nevojë, duke ruajtur në anën tjetër traditën tonë me prodhime artizanale.
Ministri Hoxha theksoi se, përmes shembujve të tillë, përmbushet një nga qëllimet kryesore të ligjit mbi administrimin e pasurive të konfiskuara, që është rikthimi në komunitet i pasurive të fituara në mënyrë të jashtëligjshme. Në këtë kuadër, vijoi ai, bashkëpunimi me institucionet e pushtetit vendor, si në këtë rast me Bashkinë e Elbasanit, e më parë edhe në Sarandë, Fier e Durrës, por edhe me bizneset, organizatat e shoqërisë civile, mediet, është me rëndësi të posaçme, edhe për arsyen e thjeshtë se produktet e këtyre grave dhe vajzat, pra qilimat e bukur e të veçantë që ato prodhojnë, duhet të gjejnë një treg, në mënyrë që sipërmarrje të tilla të jenë sa më e suksesshme.
