Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka kërkuar dje me anë të një video-mesazhi të shpërndarë në “Facebook”, që profesionistëve të lirë t’u kthehen paratë, të cilat sipas saj, u janë marrë me anë të një takse antikushtetuese. Ajo shprehet se lidhur me këtë taksim Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të tyre dhe ka kritikuar qeverinë duke u shprehur se kjo e fundit duhet të përmbushë detyrimet ndaj kësaj shtrese që përbën mbi 30 mijë profesionistë të lirë në vend. “Profesionistët e lirë edhe sot e kësaj dite nuk e marrë ende pas pagesën që i kanë bërë shtetit për një taksë të padrejtë dhe antikushtetuese. Mbasi Grupi Parlamentar i shkoi deri në fund betejës për profesionet e lira në Gjykatën Kushtetuese, tashmë do t’i shkojë deri në fund, deri kur ato të marrin pagesën e fundit. Ne bëmë një propozim ligjor, një ligj që mendojmë se rregullon situatën për të gjithë ato profesionistë të lirë të cilët kanë paguar dhe qeveria në mënyrë arbitrare i ka vendosur këmbën në fyt për t’i marrë detyrimet e taksave megjithëse ishin të padrejta. Po le mos ta marrin këtë ligj.
Le ta hedhin tutje. Mos ta marrin parasysh. Por kanë gjithë mënyrën dhe hapësirën; qoftë me një vendim të Këshillit të Ministrave apo një udhëzim të Ministrit të Financave për ti kthyer profesionistëve të lirë të gjitha detyrimet që shteti ia ka marrë padrejtësisht. Janë 30 mijë profesionistë të lirë të cilët punojnë, çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë në një treg shumë të vështirë dhe në një situatë akoma më të vështirë. Prandaj ato e meritojnë trajtimin me dinjitet dhe respekt. Një respekt që shteti nuk ia dha por ato e morën përmes gjykatës dhe padyshim me mbështetjen tonë. Edhe pagesën që qeveria i detyrohet do ta marrin përsëri me mbështetjen tonë. Deri në qindarkën e fundit”, thotë Tabaku.
