Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirian Celibashi, vendosi dje të propozojë masa administrative me gjobë ndaj dhjetra kandidatëve për kryetarë bashkie gjatë zgjedhjeve lokale të 14 majit për pranime fondesh në mënyrë antiligjore dhe mosraportim financiar në KQZ. “I kanë marrë fondet, jo sipas parashikimit ligjor nëpërmjet llogarive bankare, por cash, mbi shumën 50 mijë lekë,” tha Celibashi duke iu referuar kategorisë së kandidatëve. Ai shtoi se një argument tjetër për gjobat e vendosura lidhej dhe me “pranimin e financimeve nga donatorë që ligji parashikon ndalime”. Celibashi i propozoi Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve gjoba në vlerën e donacioneve të marra nga këta kandidatë dhe detyrimin për kalimin e këtyre fondeve për llogari të KQZ-së. Në listën e publikuar nga KQZ, 8 prej kandidatëve janë kryebashkiakë të zgjedhur nga Partia Socialiste dhe 32 të tjerë janë kryebashkiakë apo kandidatë të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.
Mes kryebashkiakëve socialistë propozohet të ndëshkohen me gjobë Arif Tafani, Armando Subashi, Emirjana Sako, Kreshnik Hajdari, Majlinda Bufi, Mariglen Disha, Agron Malaj dhe Bukurosh Maçi. Ndërsa nga kampi opozitar, masat administrative janë propozuar për kryebashkiakun e Fushë Arrëzit, Hil Curri, atë të Mirditës, Albert Mëlyshi, kryebashkiakun e Kavajës, Fisnik Qosja si dhe kandidatë të tjerë humbës. Ndërsa kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu është sanksionuar për pranimin e një dhurimi prej 36 mijë lekësh nga një aksioner i një kompanie, e cila kishte fituar më parë fonde publike, gjë që ndalohet nga Kodi Zgjedhor. Shumica e kandidatëve të sanksionuar “i kanë dhuruar vetes para cash” mbi shumën e lejuar nga ligji, ndërsa një pjesë kanë pranuar dhurime nga persona të tjerë mbi këtë shumë. Celibashi po ashtu vendosi të propozojë gjoba për dhjetra parti politike kryesisht për mosrespektim afati në dorëzimin e raporteve financiare në KQZ, ose për paraqitjen e raportit në shkelje të rregullave të formave të standardizuara nga KQZ. Masa administrative për mosbashkëpunim me KQZ në vlerën 200 000 lekë u propozuan për Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, dhe gjobë në vlerën 100 000 lekë për Partinë Agrare Ambientaliste, Partinë Republikane dhe Partinë Konservatore.
