Kultura e pandëshkueshmërisë dhe paprekshmëria e personazheve të profilit të lartë politik në vendin tonë, tashmë është një përrallë e bukur e së shkuarës dhe kjo gjë po arrihet falë amerikanëve dhe Brukselit, të cilët kanë investuar gjithë këto vite për një sistem drejtësie të pavarur në mënyrë që Shqipëria të jetë gati për t’u integruar në Bashkimin Europian. Me goditjet e SPAK nga të gjitha anët, sa majtas-djathtas, por edhe personazhe “VIP” të krimit, situata aktuale në vendin tonë paraqet një sfidë të madhe për Edi Ramën, i cili duket se është në një pozicion të vështirë, përballë presionit ndërkombëtar dhe sfidave të brendshme.
Mbyllja e dyerve, paralajmërimet dhe ultimatumet e ashpra nga SHBA dhe BE tregojnë se komuniteti ndërkombëtar është i vendosur në mbështetje të reformave dhe se çdo përpjekje për t’i minuar ato do të ketë pasoja të rënda për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Rama vijon të këmbëngulë te komisioni Antikorrupsion, i njohur shkurt si komisioni “Xhafaj”, i cili dyshohet se po e përdor për të goditur SPAK dhe këtë fakt e kanë treguar reagimet e ndërkombëtarëve që pasqyrohet edhe te qëndrimi i SPAK, i cili e ka bojkotuar si nismë. SHBA dhe BE e kanë hedhur poshtë këtë komision, mbi mënyrën se si ai po funksionon. Madje dhe organe të tjera të drejtësisë në vendin tonë, si Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, apo dhe Gjykata Kushtetuese kanë dalë kundër planeve të Ramës.
Qëndrimi i Brukselit
Ditët e fundit, Bashkimi Evropian ka qenë shumë i ashpër dhe i prerë ndaj qeverisë “Rama”. Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato ia bëri të qartë Ramës se Reforma në Drejtësi nuk ka kthim pas. Gjithashtu Gonzato, vuri theksin tek zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti. Pra BE i dha një shuplakë Ramës për mandatin e Xhaçkës, ku qeveria doli kundër Kushtetueses. “Vendimet e Gjykatës kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ato dhe kjo është thelbësore në një shtet demokratik. Për reformën në drejtësi parlamenti mund të lozë një rol kyç për mos kthimin pas të reformave por për të implementuar më tej, në harmoni reformat me të gjitha detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën e BE-së. Këto reforma shoqërohen nga përpjekja për të parandaluar korrupsionin e krimin e organizuar e krimin në qeveri. Komisioni i Antikorrupsionit që ju keni themeluar tashmë është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim,” tha Gonzato.
