Ambasada e Bashkimit Evropian dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) kanë bashkuar zërat për të mos prekur pavarësinë e institucioneve që luftojnë korrupsionin. Në fjalën e tij në Forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, ambasadori Silvio Gonzato i ulur dje krah kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ngriti alarmin dhe i dërgoi ultimatumin e fortë qeverisë që të luftojë korrupsionin, pasi siç thotë a ka kapur shtetin. Po ashtu, i dërguari i Brukselit në Tiranë ritheksoi se koha ligjeve të porositura që kufizojnë mandatet e organeve të drejtësisë duhet të marrë fund. Madje ai bëri thirrje që të mos preken ato institucione që po luftojnë korrupsionin.
Korrupsioni
Konkretisht ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato i dha një mesazh të qartë qeverisë “Rama”, ku i kërkoi të luftojë korrupsionin që ka “mbërthyer” institucionet. Gonzato kërkoi rezultate të prekshme për uljen e korrupsionit, ku i specifikoi si kusht për të ecur përpara në anëtarësimin në BE. Në fjalën e tij në Forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, ai tha se BE pret që puna e qeverisë për strategjinë antikorrupsion 2024-2030 të përfundojë sa më shpejt dhe të miratohet. Po ashtu Gonzato theksoi domosdoshmërinë e zbatimin e plotë të kësaj strategjie, në veçanti në sektorë me rrezik të lartë si Kadastra, Administrata Tatimore, Dogana, Prokurimi Publik, arsimi dhe shëndetësia. Ambasadori i BE u shpreh se, një shoqëri civile e pavarur, e fortë, e fuqizuar dhe e cila arrin të angazhohet në dialog konstruktiv me institucionet publike dhe bizneset është një element kritik për luftën kundër korrupsionit.
“Është shumë e rëndësishme që ne të marrim masat që përfaqësuesit e shoqërisë civile në mënyrë aktive të përfshihen dhe të konsultohen në forma efikase për formësimin e politikave të korrupsionit dhe nismave të tilla, por edhe monitorimin e tyre, si për shembull strategjitë e ndryshme antikorrupsion apo planet e integritetit”, tha ai. Po ashtu Gonzato theksoi se, “në programet tona të bashkëpunimit ne mbështesim kapacitetet fuqizuese dhe mobilizimin e shoqërisë civile për të dhënë kontributin e tyre dhe që këto të jenë efikase”. “Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor po vazhdojnë punën drejt anëtarësimit në BE, si vijim i ashtu dhe perceptimi i korrupsionit mbeten më të larta se mesatarja e BE-së, prandaj ne duhet të përqendrohemi që të gjitha përpjekjet antikorrupsion të integrohen në të gjitha kapitujt e negociuar, duke filluar që nga sektorët me rrezikun më të lartë”, tha ai.
