Në një kohë që Shqipëria pret çeljen e negociatave për grupkapitujt e parë, Partia Demokratike ka ndërmarrë një aksionin që e quan të “mosbindjes civile”. Selitë diplomatike të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë e cilësuan të papranueshme atë që ndodhi në Parlament në seancën e 30 shtatorit 2024 dhe kërkojnë dialog mes palëve. Nga i njëjti oborr ku dy ditë më parë morën flakë karriget e deputetëve, erdhi edhe reagimi i parë ndërkombëtar. Para fjalës në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare te Nismës së Evropës Qendrore, që u mbajt pikërisht në sallën që të hënën pa aktet e paprecedentë, ambasadori i BE, Silvio Gonzato e cilësoi të papranueshme gjithçka ndodhi, ndërsa palëve u kërkoi të ulen në dialog dhe të shmangin përshkallëzimin.
“Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin. Pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin. Thirrja që unë u bëj të gjithëve në këtë moment është tu ktheheni dialogut, jo që të bini dakord për gjithçka për të diskutuar dhe dialoguar. Gjithashtu të shmangen sulmet personale apo verbale. Lutem që të ulet përshkallëzimi”, deklaroi ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, në një reagim për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit ku këtë të hënë PD organizoi kaosin nxitur siç thotë ajo pas dënimit me 1 vit burg të ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji.
Reagon ambasada e SHBA
Ndërkohë i menjëhershëm ishte edhe reagimi i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, e cila shprehu shqetësim për forcën e përdorur në parlamentin e një vendi demokratik. Në njoftimin e saj ambasada e amebiken shpreh shqetësimin për gjendjen e krijuar dhe shprehet se akte të tilla dëmtuese nuk kanë vend në procesin demokratik. Ata bëjnë thirrje që palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajte dhe të angazhohen në dialog. Nga ana tjetër Ambasada Amerikane ka theksuar se mbështet diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”, shkroi ambasada e SHBA.
Reagon ambasada britanike
Nga ana tjetër, ambasada britanike në Tiranë dënon dhunën e mbrëmshme në parlament ku u dogjën karriget prej deputetëve të opozitës dhe u tentua të goditej me një copë druri kryeparlamentarja Spiropali po prej deputetëve opozitarë. “Dhuna nuk ka vend në demokraci. Ambasada britanike nxit të gjithë partitë politike në Shqipëri të lidhen në dialog konstruktiv dhe në procese paqësore parlamentare. Ambasada britanike dënon aktivitetin që kërkon të minojë këto principe dhe mbetet e angazhuar të ndihmojë njerëzit dhe demokracinë në Shqipëri”, thotë ambasada britanike në reagim.
