Në një kohë të trazuar për mbarë botën, ku krizat politike, ekonomike, ushtarake, luftërat dhe pasiguria e hedhjes në treg të armëve bërthamore po rriten dhe ndërkohë që Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) po diskuton për zgjidhjen e tyre, kryeministri Edi Rama lëshoi “shashkën” e budallallëkut që e karakterizon për mini-shtetin mysliman të bektashinjve. Në një kohë që Ukraina po digjet, Lindja e Mesme është në flakë dhe Azia me problemet e saj, të cilën e ndan fija e perit nga një konflikt, kryeministri shqiptar i nxori bojën popullit që përfaqëson me mendjelehtësinë e tij që e karakterizon duke shokuar gjithë liderët botërorë në OKB të cilët ju shfaq si një “UFO” me emrin Edi Rama.
Ideja e kryeministrit shqiptar Edi Rama për të ndërtuar një “shtet bektashi” mu në mes të Tiranës ka shkaktuar jo pak habi dhe kritikë. Deklaratat e tij të para, të cilat sugjeronin një vizion ambicioz për një strukturë të re shtetërore, dukeshin si një “shashkë” që përpiqej të tërhiqte vëmendjen në një kontekst ndërkombëtar shumë të ndërlikuar. Madje me këtë deklaratë Rama duket se tentoi të shpallë një projekt të ri, që në thelb duket më shumë si një eksperiment se sa një zgjidhje reale për sfidat që përballen shqiptarët dhe bota. Kryeministri, i njohur për stilin e tij provokues, fillimisht e paraqiti idenë e shtetit bektashi gjatë një prononcim për “New York Times” dhe më pas e përforcoi atë gjatë fjalës që mbajti këtë javë në OKB, si një mënyrë për të forcuar praninë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ai argumentoi se një urdhër bektashi mund të shërbente si një element bashkues dhe si një nxitës i diplomacisë, duke kaluar përtej kufijve të Shqipërisë.
Megjithatë, pas reagimeve të ashpra brenda e jashtë vendit dhe skepticizmit të liderëve botërorë, sikundër ishte reagimin i ambasadës së Bashkimit Evropian në Tiranë që injoroi nismën dhe heshtjes së ambasadës së SHBA në vendin tonë, ai u detyrua të tërhiqej nga deklaratat e tij origjinale, duke e shfaqur idenë si diçka më pak se një projekt shtetëror dhe më shumë si një tentativë për të ngritur statusin e bektashizmit në rrafshin diplomatik. Duke folur në një takim me përfaqësuesit e 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës, Rama bëri një hap pas nga deklaratat e disa ditëve më parë dhe theksoi se ideja nuk ka të bëjë me krijimin e një shteti të ri, por ngritjen e urdhrit bektashi në rrafshin diplomatik, përtej kufijve të Shqipërisë.
