Mazhoranca ka garantuar dje ndërkombëtarët se Komisioni Antikorrupsion, nuk ka për qëllim të prekë punën e institucioneve të pavarura. Në emër të shumicës, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali e paraqiti këtë mesazh para një takimi me krerët e institucioneve të pavarura dhe ambasadorët e vendeve më të rëndësishme. Kjo tërheqje ka ardhur pas disa javë presion nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Britania e Madhe, të cilët kanë theksuar njëzëri se s’mund të ketë kthim pas të Reformës në Drejtësi. Perëndimi tregoi edhe njëherë se nisma të tilla që ngrihen me synimin për t’u përdorur si një mashë nga Edi Rama për të goditur institucione të drejtësisë nuk do të funksionojnë. Në këtë situatë mori fund plani i mazhorancës, të cilët planifikuan që nëpërmjet komisionit të posaçëm të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, kërkonin të shkrinin Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe ILD, për të krijuar një “gjykatë llogarish ku do të emëronin njerëzit e tyre të besuar. Prej ditësh ILD dhe KLSH kanë qendër të sulmeve dhe presioneve.
Ja mesazhet e forta
Se ndërkombëtarët nuk tolerojnë të preket Reforma në Drejtësi, e tregoi dhe përplasja e fundit mes Fatmir Xhafajt dhe ambasadorit të BE-së në Tiranë. Silvio Gonzales mesa duket nuk i ka pritur mirë përpjekjet e komisionit të posaçëm drejtuar nga zoti Xhafaj, i etiketuar dhe si komisioni që po përpiqet të vërë nën kontroll institucionet e drejtësisë, kryesisht SPAK-un. Në sinkron me ambasadorin e BE-së ishte dhe deputetja Jorida Tabaku. Në cilësinë e kryetares së komisionit të integrimit, zonja Tabaku shprehu shqetësimin se të gjitha ndryshimet që do të ndodhin si rezultat i asaj pune që ka nisur një komision i posaçëm nuk duhet të cenojnë dhe të mos prishin standardet në favor të politikës dhe në dëm të drejtësisë. Xhafaj tentoi të justifikojë punën e komisionit të tij me justifikimin se pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të jetë këmishë force për të mos u gjykuar për përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën. Por ambasadori i BE-së ishte i qartë kur tha se pa institucione të pavarura të drejtësisë, nuk ka drejtësi të pavarur. Sipas tij, kriteret si përgjegjshmëria dhe transparenca nuk mund të përdoren me koston e pavarësisë së tyre, duke theksuar se janë mekanizmat e brendshëm ato që mundësojnë që institucionet e drejtësisë t’i rrisin këto dy cilësi.
Debati
Një pikë tjetër e debatit ishte dhe raportimi i institucioneve të drejtësisë në Kuvend. Një proces që u shoqërua me shumë debate dy muaj më parë, kur kryetari i SPAK u sulmua nga deputetët e opozitës, ndërkohë që mazhoranca thjesht “shijoi spektaklin” që shërbeu si platformë për ngritjen e komisionit. Fatmir Xhafaj tha sot se ky proces (pra, raportimi në Kuvend) është i pamjaftueshëm. Sipas tij, duhen gjetur mënyra se si mund të fuqizojmë mekanizmat që njeh Kushtetuta dhe ligji dhe se si mund të shtojmë mekanizma të rinj që janë në funksion të përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës. Ndërhyrja e Xhafajt në këtë proces sërish është kundërshtuar nga Silvio Gonzato, për të cilin nuk mund të flitet për ndryshimin e kontrolleve dhe balancave aktuale ose për ndryshimin e hierarkisë midis institucioneve të ndryshme të drejtësisë. Edhe ambasadori i Holandës ka kundërshtuar deklaratat e Xhafajt, duke mbështetur SPAK-un si një institucion që po kryen detyrën me përkushtim dhe që nuk duhet të vendoset nën presionin e politikës të asnjë krahu. Një tjetër rast që tregon se ndërkombëtarët nuk tolerojnë që të ndërhyhet në asnjë drejtim te Reforma në Drejtësi është një kërkesë po e Fatmir Xhafajt, që agjentët e BKH të pajiseshin me armë. Xhafaj kërkoi nga amerikanët që të bënin ndërhyrje në ligj për këtë punë, por SHBA i vendosi vijat e kuqe duke thënë se asnjë ndryshim nuk do të bëhet pa kërkesën dhe miratimin e tyre.
