Krerët e politikës që në 30 vite kanë copëtuar, grabitur, vrarë dhe vjedhur Shqipërinë dhe shqiptarët, ditën shahen, akuzojnë dhe çfarë nuk thonë për njëri-tjetrin, por kur vjen puna te interesat, ku në këtë rast është shpëtimi nga cikloni i SPAK, të gjithë bëhen bashkë. Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta, bashkë me të gjithë bashkëpunëtorët e tyre me dosjet mal në Prokurorinë e Posaçme, po tentojnë me çdo kusht në aleanca të fshehura dhe publike për ta zhbërë Reformën në Drejtësi, duke sfiduar amerikanët dhe aleatët e tjerë që mundësuan dhe financuan këtë projekt. Por planet e tyre orguzeza do të dështojnë pasi qëndrimet e forta të ndërkombëtarëve tregojnë se drejtësia e re nuk do të preket nga kjo kastë e korruptuar. Dje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë treguar qartë dhe prerë se Reforma në Drejtësi nuk do të preket.
Detajet
Mesazhet u dhanë në Kryesinë e Kuvendit, ku u zhvillua një takim i përbashkët mes kryetares së Parlamentit, Elisa Spiropali me drejtuesit e Institucioneve të Pavarura lidhur me mënyrën e raportimit dhe monitorimit. Të ftuar në këtë tryezë, ambasadorët e BE-së, SHBA-së dhe Britanisë në një zë përcollën mesazhe të rëndësishme për respektimin e institucioneve të pavarura por dhe forcimin e rolit të Parlamentit në llogaridhënie e transparencë. Ndërkombëtarët e quajtën të rëndësishëm rolin e komisionit antikorrupsion në realizimin e reformave të cilat janë tepër të rëndësishme në këtë moment kur Shqipëria është në një fazë kritike dhe po punohet shumë për tu hapur shumë shpejt negociatat për në BE. Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato kishte tre mesazhe për Parlamentin. Ai tha se Reforma në Drejtësi nuk ka kthim pas. Gjithashtu Gonzato, vuri theksin tek zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti. Pra BE i dha një shuplakë Ramës për mandatin e Xhaçkës, ku qeveria doli kundër Kushtetueses. “Vendimet e Gjykatës kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ato dhe kjo është thelbësore në një shtet demokratik. Për reformën në drejtësi parlamenti mund të lozë një rol kyç për mos kthimin pas të reformave por për të implementuar më tej, në harmoni reformat me të gjitha detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën e BE-së. Këto reforma shoqërohen nga përpjekja për të parandaluar korrupsionin e krimin e organizuar e krimin në qeveri. Komisioni i Antikorrupsionit që ju keni themeluar tashmë është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim” tha Gonzato.
