BIRN: ‘Tollonat e drekës’ së policëve ushqejnë rrjetin e supermarketeve të Samir Manes

Data

Në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave ndryshoi skemën e trajtimit ushqimor për mijëra punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët për shkak të orëve të gjata të punës përfitojnë kompensim financiar ekuivalent me vaktet e munguara të drekës. Sipas vendimit të qeverisë, shuma e kompensimit financiar nuk do të transferohet më në llogarinë e tyre të pagës, por në një llogari të posaçme bankare përmes së cilave mund të kryhen transaksione vetëm në njësi tregtare ushqimore apo rrjete supermarketesh. Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla nxori një udhëzim në maj, ku vendosi kritere për bankat e nivelit të dytë që do të ofronin kartën e posaçme si dhe për rrjetet e supermarketeve që do ta pranonin atë në këmbim të ushqimeve. Por edhe pse udhëzimi premtonte se punonjësit e policisë do të kishin mundësi të zgjidhnin bankën e nivelit të dytë dhe supermarketet ku do ta shpenzonin bonusin, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ata patën vetëm një zgjedhje; Tirana Bank dhe rrjetin e supermarketeve SPAR – të dyja në zotërimin e grupit “Balfin” në pronësinë e biznesmenit Samir Mane.

Një numër punonjësish të Policisë së Shtetit i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se aplikimet për kartat e posaçme në Tirana Bank ishin kryer nga zyrat e tyre të punës, ku edhe ishin informuar se mund t’i përdornin ato në supermarketet e rrjetit SPAR. “Më lajmëruan ata të punës që të shkoj të tërheq kartën dhe më thanë që mund ta përdor vetëm tek një dyqan,” i tha BIRN një punonjës policie nga një qytet i vogël verior, i cili vetëm pas disa përpjekjesh e identifikoi dyqanin në fjalë si “SPAR”. “Tani jam i detyruar të vij në Tiranë të blej ushqimet, se këtu nuk e kemi,” shtoi ai. Kreu i Sindikatës së Policisë së Shqipërisë, Sadetin Fishta e denoncoi si të padrejtë dhe fyes procesin që u diktonte punonjësve të policisë së Shtetit Bankën e Tiranës apo supermarketet e rrjetit SPAR, duke paralajmëruar se do ta ankimonte atë në rrugë administrative dhe ligjore. “Ka urdhër për të shkuar të gjithë në një bankë, se kush i çoi listat pra tek kjo banka dhe policët vetëm shkojnë e tërheqin kartën,“ i tha Fishta BIRN, duke e quajtur diskriminues edhe kushtëzimin për të blerë një listë të kufizuar produktesh në SPAR. Ish-ministri i brendshëm, Taulant Balla mohoi që të ishin favorizuar vetëm dy biznese, ndërsa këmbënguli se ishin ndërmarrë procedura transparente me të gjitha bankat dhe supermarketet

“Si në të gjitha rastet e ngjashme edhe në vendet e tjera, ka qenë një proces i hapur ku janë ftuar të marrin pjesë 14 banka dhe të gjithë rrjetet e supermarketeve në Shqipëri,” tha Balla për BIRN. Ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Brendshme pretendojnë se e kanë kryer në rregull procesin, ekspertët e ekonomisë shohin probleme që në mënyrën se si është formuluar vendimi i Këshillit të Ministrave dhe udhëzimi i Ministrit të Brendshëm, të tilla që cënojnë konkurrencën. Eduart Gjokutaj, themelues i “Altax”, një organizatë për edukimin financiar me qendër në Tiranë i tha BIRN përmes një analize të detajuar se formulimet e këtyre akteve lënë hapësirë për favorizimin e disa bizneseve. Gjokutaj tha se në këtë rast është anashkaluar tenderimi bashkë me konsultimin publik, duke miratuar një akt nënligjor që përmban kritere të cilat duhej të ishin zbatuar përmes një tenderi. Ai theksoi gjithashtu se ka kontradikta mes udhëzimit dhe ligjit për bankat, mungon një marrëveshje me institucionin publik për ofrimin e një shërbimi të posaçëm, siç është llogaria bankare pa komision, ka paqartësi në procesin e përzgjedhjes së operatorëve tregtarë si ekzistojnë formulime që bien ndesh me legjislacionin tatimor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related