Meta takim “kokë më kokë” me Nokën për zgjedhjet e 2025, kërkon deputetë të sigurt në listën e PD, presidenti i PL…

Data

Presidenti i Partisë, Ilir Meta ka nisur tentativat për të futur sërish në “grackë” kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një përpjekje për të forcuar partinë e tij, e cila po shkon drejt shkrirjes. Kështu në një skenë politike ku tensionet janë të pranishme, presidenti i PL, Ilir Meta është takuar këtë fillim jave “kokë më kokë” me Sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Nokën për të diskutuar strategjitë për zgjedhjet e 2025. Duke parë se votuesit i janë rrudhur në maksimum dhe me synimin për të forcuar pozitat e tij, Ilir Meta është vënë në lëvizje për të ndjekur të njëjtën skemë si me zgjedhjet vendore. Asokohe presidenti i PL lejoi Berishën të futej në zgjedhje nën logon e partisë së tij, por i mori thuajse gjithë këshillat bashkiakë dhe e la thatë kreun demokrat.

Ndërkohë gazeta ka mësuar detaje na takimi, ku mësohet se Meta ka kërkuar që në listën e mbyllur të PD (do ketë një listë të hapur dhe një të mbyllur) të jenë disa prej besnikëve të tij, por në zona të sigurta. Në Tiranë, Meta ka kërkuar që të jetë ai dhe disa deputetë të tjerë, teksa po ashtu kërkon kandidatë në Durrës, Berat, Fier dhe disa zona të tjera, ku pretendon se ka elektorat. Në media madje është aluduar se ai i ka vënë kusht Berishës për 10 deputetë në zonë të sigurt, por kjo mbetet e pakonfirmuar. Por përveçse do të përfitojë në kurriz të demokratëve, kjo strategji ka pasoja të drejtpërdrejta për grupin e Gazment Bardhit, i cili, pas një historie të gjatë përplasjeje dhe akuzash me Metën, rrezikon të dalë jashtë loje. Bardhi dhe mbështetësit e tij, që janë quajtur herë pas here “renegatë” të Lulzim Bashës, përveçse shihen si mish i huaj në PD, pritet të përballen me pasojat e këtij përjashtimi, pasi nëse emrat e partisë së Metës vendosen në listë fituese, atëhere ata e kanë të vështirë të zgjidhen deputet, veçanërisht zoti Gazment Bardhi, i cili është drejtues politik në Qarkun e Fierit, aty ku socialistët kanë shumicën absolute. Megjithatë se çfarë do të ndodhi me ata që dikur ishin figura kyçe? A do të arrijë Meta të konsolidojë fuqinë e tij, apo do të përballet me pasojat e humbjes së mbështetjes? Në këtë terren të vështirë, koha do të tregojë se kush do të mbijetojë dhe kush do të largohet nga skena politike.

Reagon Meta

Nga ana tjerë, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka konfirmuar takimin me Flamur Nokën, për të cilin tha se ka qenë tepër miqësor. Gjatë një konference për mediat, Meta theksoi dje se kanë diskutuar për aksionin opozitar, por edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërsa i pyetur nëse do të jetë pjesë e primarëve të PD për zgjedhjet e ardhshme, Meta u përgjigj: “Respektojmë çdo vendim të PD, ne marrim vendimin tonë në të mirë të maksimizimit të votës. Respektojmë çdo vendim të PD dhe ata besoj do respektojnë vendimin tonë”.

Pyetje: Listë të përbashkët apo listë të ndarë?

Ilir Meta: PL në çdo rast do kërkonte fitoren e opozitës. Do të preferonte që të dilte me logon dhe flamurin e saj, por kjo është një çështje që nuk e vë në diskutuam luajalitetin e PL.

A i druhet Meta, Kryemadhit se mos i merr elektoratin e PL?

Ndërkaq kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i pyetur nëse ka frikë nga Monika Kryemadhi, partnerja e tij që ndodhet në proces divorci, e cila po punon të kandidojë si e pavarur në Qarkun e Tiranës. “Këtë punën e frikës çfarë ishte? nuk komentoj llafe gazetash. Ilir Meta do të udhëheqë Partinë e Lirisë dhe listën e saj në kryeqytet dhe në Qarkun e Tiranës, sepse është qarku më i madh i vendit tonë dhe nuk i druhet kreut të narko-shtetit dhe instrumenteve mafiozë të tij dhe askujt tjetër, gjithmonë duke respektuar qytetarët e Tiranës dhe gjithë Qarkut të Tiranës. Krenar sepse kam bërë shumë vepra të mira për Tiranën. I kam kthyer parkun “Rinia”, ia kam kthyer unë si kryeministër. Bëra mirë që i prisha ato kioskat dhe i ktheva parkun kryeqytetit, sepse po të mos e kisha bërë atë gjë, ky do prishte kioskat dhe do bënte ato kullat 300-katëshe. I kam marrë në mbrojtje zonën historike si kryeministër dhe ky pastaj kur i mori të gjitha pushtetet vetë, e shembi teatrin atje dhe shkatërroi zonën, vetëm për projekte korruptive dhe kam bërë shumë gjëra të thera në Tiranë. Kam shumë arsye për të përfaqësuar të gjithë qytetarët e Tiranës, por jo vetëm. Rezultati i PL-së do të jetë fantastik në Qarkun e Tiranës, shumë më lartë se rezultati më i mirë që ka pasur ish-LSI në kohën që e drejtoja unë”, nënvizoi Meta. Po ashtu, Meta premtoi se rezultati i Partisë së Lirisë në këto zgjedhje do të jetë shumë më i lartë se rezultati më i mirë që LSI-ja ka pasur ndonjëherë në Tiranë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related